E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Pas rezolutës së OKI, priten njohje të reja

Në mbledhjen e qeverisë së Kosovës të zhvilluar ditën e sotme, kryeministri Hashim Thaçi shprehu bindjen se pas miratimit të rezolutës nga OKI, do të pasojnë shumë njohje të reja për Kosovën jo vetëm nga vendet islamike, por edhe nga vendet e tjera. Gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar, Thaçi ka përshëndetur vendet e Konferencës Islamike, të cilat në mënyrë unike e kanë marrë në konsideratë njohjen e pavarësisë së Kosovës.
 

“Mendoj se ky është mesazhi më i mirë, më i drejtë dhe më i vlerësuari. Konferenca Islamike ka 57 shtete në katër kontinentet e ndryshme të botës. Disa prej tyre vetëm e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por ka ndodhur pastaj një ngërç, prandaj Konferenca Islamike duke njohur plotësisht opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe tash me thirrjen unike për vendet e Konferencës Islamike për njohje bilaterale besojmë se njohjet do të përshpejtohen dhe do të ndodhin edhe më lehtë”, ka deklaruar Thaçi.
 

Kreu i qeverisë kosovare ka shprehur bindjen se pas miratimit të rezolutës nga OKI, gjërat do të lëvizin pozitivisht në drejtim të shtimit të numrit të njohjeve. “Deri më tani me këto vende kemi komunikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, tani kemi një rezolutë të përbashkët të OKI dhe thirrjen zyrtare, konsensuale, për secilin vend dhe veç e veç që të fillojnë procedurat e njohjes për Republikën e Kosovës. Kam besim se gjërat do të fillojnë të ndryshojnë edhe prej këtyre vendeve, por edhe prej disa të tjerave që janë në proces të njohjes”, u shpreh kryeministri kosovar.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›