Thaçi: Perspektiva e rajonit, integrimi i plotë në BE

Kryeministri Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit në Dubrovnik, ku po merr pjesë në Samitin e Kroacisë, ka zhvilluar takime të ndara me liderët dhe homologët e tij të vendeve të rajonit. Në takimin që ka zhvilluar me kryetarin e Kroacisë, Ivo Josipovic, Thaçi ka shprehur gatishmërinë e qeverisë së Kosovës, për zhvillimin e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve, ndërsa në takim me kryeministren e Kroacisë, Jadranka Kosor, ka biseduar për bashkëpunimin dhe ndihmën që shteti kroat mund t`i ofrojë Kosovës, në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.
Thaçi është takuar edhe me kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevski, me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet e mira fqinjësore mes Kosovës dhe Maqedonisë, për bashkëpunimin e ndërsjellë në rrugën e integrimeve evropiane dhe të ndërtimit të paqes dhe stabilitetit në rajon.
Një takim të veçantë, kryeministri i Kosovës ka zhvilluar edhe me kryeministrin e Belgjikës, Yves Leterme, në të cilin është biseduar për angazhimet që populli i Kosovës dhe institucionet e saj janë duke ndërmarrë në funksion të procesit të integrimeve evropiane.
Thaçi dhe bashkëbiseduesit i tij kanë konstatuar fuqimisht se perspektiva e vendeve të rajonit është integrimi i plotë në Evropë dhe në ndërtimin e raporteve ndërshtetërore, sipas modelit evropian.