Pacolli: Politika shqiptare, fokus në çështjet kombëtare

“Kryebashkiaku i ri i Tiranës, do të punojë për qytetarët. Ai ka përgjegjësinë, që dalin nga premtimet që bëri gjatë fushatës elektorale. Mendoj se Basha ka energji pozitive dhe kurajo për të punuar për qytetin e Tiranës. Nëse Basha në krye të Bashkisë, sjell më shumë zhvillim, ai është i mirëpritur dhe në këtë drejtim, mendoj se në këto zgjedhje, ka fituar populli i Tiranës”. Kështu është shprehur Behgjet Pacolli.
Zëvendës kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, nuk i ka shpëtuar një komenti për zhvillimet politike në vendin tonë. Gjatë një interviste për RTV “Ora News”, Behgjet Pacolli foli për kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës.
Ndërkaq, zëvendës kryeministri i Kosovës tha se tashmë ka ardhur koha, që klasa politike në Shqipëri- Kosovë apo edhe Maqedoni, të vëjë në plan të pare, interesa kombëtare dhe jo interesat e tyre të ngushta politike, që për fat të keq, sipas tij, janë shumë evidente kohët e fundit.
Sa i përket bisedimeve Serbi- Kosovë, Pacolli tha se në muajin tetor, do të finalizohet një paketë dokumentash, dakortësia për të cilat Kosova tha ai, shpreson që ti firmos. Ky hap nga ana e Serbisë, duhet të hidhet edhe për vetë faktin se nga qëndrimi që do të mbajë fqinji i Kosovës varen edhe proceset integruese të Serbisë.
Sa i përket njohjes së Kosovës nga shtete të tjera, Behgjet Pacolli u shpreh optimist në këtë drejtim. Ai tha se nga kontaktet që ka patur gjatë kohës që mban postin e zëvendës kryeministrit të Kosovës, ka marrë garancinë nga shumë vende të tjera, që në një të ardhme të afërt, të njohin pavarësinë e Kosovës. Dhe në këtë drejtim, ai tha se brenda këtij viti, Kosova shpreson që të pranohet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.