Maqedonia dhe Mali i Zi, marrëveshje për ekstradim

Maqedonia do t`i kthejë të gjithë personat që kanë kryer vepra penale dhe që janë në arrati nëpër vendet e rajonit. Bëhet fjalë për personat që falë shtetësisë së dyfishtë iu shmangeshin nënshtrimit të dënimeve për veprat e tyre të kundërligjshme.
Për këtë, Maqedonia prej disa ditësh punon në përgatitjen e teksteve të marrëveshjeve të ekstradimit me Malin e Zi, Kroacinë dhe Serbinë. Një ditë pas parafimit të marrëveshjes me Kroacinë, Maqedonia të shtunën nënshkroi marrëveshje ekstradimi edhe me Malin e Zi.
Marrëveshja për ekstradim, parashikon ekstradimin për shkak të inicimit të ndjekjes penale dhe ekstradim për vuajtjen e dënimit. Maqedonia ka nënshkruar marrëveshje ekstradimi edhe me Kosovën. Ratifikimi i marrëveshjeve me këto vende të rajonit, pritet të bëhet deri në shtator.