E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Pjesëmarrja në Sarajevë, njohje ndërkombëtare

Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar se pjesëmarrja dhe përfaqësimi i barabartë i Kosovës me shtetet e tjera në Samitin e Sarajevës është njohje unanime ndërkombëtare për vendin.

Duke folur në mbledhjen e Qeverisë, Thaçi tha se në Samitin e Sarajevës, ministri i Jashtëm, Skender Hyseni, do të prezantojë të gjitha të arriturat e shtetit të Kosovës, si në sferën politike, ekonomike dhe reformat demokratike për të ardhmen euroatlantike të vendit tonë.

“Në Samitin e Sarajevës do të prezantohen të gjitha të arriturat e shtetit të Kosovës edhe në sferën politike dhe afirmimit të të drejtave të minoritarëve, të arriturat ekonomike, reformat demokratike dhe vizioni për të ardhmen dhe ndërtimi i raporteve të shkëlqyeshme me të gjithë fqinjët”, ka thënë kryeministri Thaçi, transmeton KosovaPress.

Ndërkaq pas mbledhjes së Qeverisë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se Samiti i Sarajevës me pjesëmarrjes e shteteve do të nxisë edhe bashkëpunimit rajonal dhe se do të përcaktojë të ardhmen e perspektivën evropiane të gjithë rajonit.

“Askush mos ta mendojë që rajoni mund të bashkëpunojë apo të ketë sukses bashkëpunimi pa një shtet që tanimë është një realitet, në këtë rast mendoj Kosova, por edhe pa të tjerët. Sikur që mendoj se do të jepet një dritë e gjelbër për perspektivën evropiane përkundër krizave që mund të ketë në kuptimin financiar Unioni Evropian”, ka thënë Kuçi.

Për Samitin e Sarajevës, i cili do të mbahet nesër, ka folur edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi. Ai ka thënë se ftesa që i është bërë Kosovës për të marrë pjesë në këtë samit është edhe një dëshmi më tepër se vendet fqinje dhe ato të BE-së tani më kanë filluar të trajtojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

“Më e rëndësishmja është se Kosova është pjesë e samiteve që organizohen nga mekanizma të Bashkimit Evropian. Mendoj që ky është një hap i ri në këtë rrafsh dhe duhet përshëndetur. Mendoj që vetë pjesëmarrja e Kosovës në të gjitha vendet tregon që edhe vendet e BE-së, por edhe ato të rajonit po pajtohen me faktin që Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik”, ka deklaruar Krasniqi, raporton KosovaPress.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›