E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Policia e Kosovës në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit

Luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do ta udhëheqin institucionet e Republikës së Kosovës, ndërsa EULEX-i do të ketë një rol lehtësues në këtë drejtim. Kështu u shpreh Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me Kryeprokurorin e Kosovës Ismet Kabashi, duke shtuar se ai vetë do të jetë në krye të kësaj lufte me mbështetjen ndërkombëtare.

“E kam potencuar se institucionet e Kosovës do ta udhëheqin luftën, apo betejën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe të gjitha dukurive tjera negative. Prandaj, edhe bashkëpunimi me EULEX-in do të jetë i ngushtë dhe mbështetës për suksesin e Kosovës. Jam i bindur se edhe këtë betejë do ta fitojmë me vendosmëri, guxim, këmbëngulësi dhe sundim të ligjit”, u shpreh Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës.

Ndërsa Kryeprokurori Ismet Kabashi tha se prokuroria ka nisur hetimet ndaj 111 zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, të cilët dyshohet se janë përfshirë në afera korruptive.

“Vlerësojmë se korrupsioni dhe krimi i organizuar janë dy pengesat kryesore të zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës. ...Prioritet ynë kryesor do të jetë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Prokurorët Kosovës kanë kapacitet, guxim dhe vullnet që të merren me lëndët më të rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha Ismet Kabashi, Kryeprokuror i Kosovës.

Megjithatë deklaratat e instritucioneve të Kosovës për zvogëlimin e rolit të EULEX-it në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, misioni i BE-së vazhdon të ketë rolin kryesor kundër kësaj beteje. Ky mision i cili kohë më parë ka nisur hetimet për korrupsion ndaj ministrit të Transportit Fatmir Limaj, sipas gazetës “Koha Ditore” po heton edhe gjashtë raste të tjera të krimit të organizuar, ku janë të përfshirë zyrtarë të lartë. Sipas kësaj gazete prokurorët e EULEX-it po hetojnë mbi 100 raste në të cilat dyshohet për korrupsion dhe krim të organizuar.

Bul Salihu < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›