E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Presim që Serbia ta njohë Kosovën e pavarur

Të martën, Kosova feston ditëlindjen e parë si shteti më i ri në botë. Gjatë një intervistë për "Swissinfo", Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Serbia, dita-ditës po e kupton se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran.

Republika e Kosovës i mbushi një vit. Si është "bebja" e vogël?

Po rritet dhe po forcohet. Dhe është shumë e shëndoshë.

Megjithatë, vendi juaj është pranuar vetëm nga 54 shtete...

Së pari, falënderoj të gjitha shtetet që e kanë pranuar Kosovën. Shumë shtete janë në proces të njohjes. I respektojmë të gjitha procedurat e njohjes. Shumica e shteteve të botës kanë pranuar që do të na njohin. Por, nuk mund t‘u jap data të sakta.

Me kërkesë të Serbisë, Gjykata Ndërkombëtare në Hagë, do të vërtetojë se a ka pasur bazë ligjore për shpalljen e pavarësisë. Çfarë do të bënit nëse ky vendim do të ishte negativ për Kosovën?

Nuk dua të përzihem në vendimin e gjykatës. Nuk dua që ky rast të ketë ngjyrosje politike. Vendimi do të respektohet nga ne.

Rreth 130 mijë serbë jetojnë në vendin tuaj nga dy milionë që ka Kosova. Si do ta fitoni besimin e serbëve?

Serbët janë pjesë e Parlamentit dhe e qeverisë, janë pjesë e shoqërisë. Të drejtat e tyre janë të garantuara edhe me Kushtetutën e Kosovës.

Prisni që serbët të jenë edhe pjesë e Forcës të Sigurisë së Kosovës?

Që tani serbët janë me 6 për qind të përfaqësuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Kjo do të thotë që është forcë multietnike. Edhe në Shërbimin Inteligjent punojnë serbët, si dhe në të gjitha institucionet qendrore e lokale.

Çfarë veprimesh prisni nga Beogradi lidhur me Kosovën?

Pres që Serbia të njohë Kosovën sa më parë. Kjo do të ishte gjëja më e mirë për stabilitet dhe paqe dhe vendimi më e mirë për të dyja vendet. Ne jemi të gatshëm të kemi marrëdhënie bilaterale me Serbinë. Prishtina me shumë dëshirë do të kishte një Ambasadë në Beograd, në mënyrë që të funksionojnë si dy shtete normale.

Por, a është kjo e mundur ta bëjë qeveria e Serbisë?

Nuk është problem i qeverisë, hezitimi për ta pranuar Kosovën është, sepse Serbia është peng i pikëpamjeve antishqiptare që janë në Beograd.

Ju besoni vërtet se Serbia ka vullnet ta pranojë Kosovën?

Serbia po e kupton që Kosova është shtet. Do të vijë dita kur do të merret vendimi për këtë. Do ta përshëndes të ndodhë sa më shpejt.

Kur do ta merrni kontrollin e pjesës veriore të Kosovës, e banuar kryesisht nga serbë?

Misioni i EULEX-it operon në krejt territorin e Kosovës. Është një sfidë, e cila mund të përballohet.

A jeni i gatshëm të përdorni forcën për të kthyer veriun?

Jo, në asnjë mënyrë. Çdo tentim për rregulluar situatën në Mitrovicë me anë të forcës do të ishte një aventurë e rrezikshme.

Sa është Kosova e prekur nga kriza financiare?

Kosova nuk është vend i izoluar, por pjesë e ekonomisë botërore. Kriza është pasqyruar edhe në Kosovë, nga ndikimi i diasporës. Edhe investimet e drejtpërdrejta ndërkombëtare janë po ashtu të përfshira nga kjo krizë.

Si janë marrëdhëniet bilaterale me Zvicrën?

Marrëdhëniet janë fantastike. Zvicra është njëri ndër vendet e para, të cilat na kanë pranuar. Ne kemi një urë të fortë lidhëse me Zvicrën. Unë kam jetuar vetë atje, dhe kam vetëm kujtime të mira nga ajo kohë. Dhe ndoshta Kosova do të shndërrohet në një Zvicër në këtë rajon.

Ju keni jetuar dhe studiuar në Zvicër. A ju ndihmon kjo në punën e qeverisë?

Kam mësuar shumë nga Zvicra, por a të bën kjo Kryeministër më të mirë apo më të keq, nuk varet se në cilin vend ke jetuar. Por, përvoja në Zvicër, sidomos ajo në universitet, ka qenë shumë e dobishme për mua.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›