E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Problemi 12-vjeçar i veriut nuk mund të zgjidhet për 12 orë

 Prej 12 vjetësh me radhë në veri ndodhën ngjarje në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me Kushtetutën, me dokumentin e presidentit Ahtisaari, e në kundërshtim me Rezolutën 1244, ndërsa më 25 korrik shteti i Kosovës, Qeveria e Kosovës, mori vendimin e domosdoshëm, vendimin sovran, vendimin e drejtë për vënien nën kontroll të territorit të Kosovës dhe dërgimin e doganierëve dhe të policëve kosovarë në pikat doganore 1 dhe 31, ka theksuar dje kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, gjatë kremtimit të 12-vjetorit të themelimit të Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Vushtrri.
Edhe në veri do të ketë rend dhe ligj, do të ketë demokraci, do të ketë zgjedhje të lira, do të ketë lidership legjitim, do të ketë investime socio-ekonomike, ku po ashtu do të kenë ballafaqime me drejtësinë të gjithë ata kriminelë të strukturave paralele, ilegale e kriminale, që vranë policin Enver Zymeri dhe dogjën dy pikat doganore, ku nuk do të mund ti ikin përgjegjësisë, ka thënë Thaçi. Ato struktura ilegale e kriminale që mbajnë peng qytetarët në veri, dhe ata që po ndërtojnë barrikada janë të vetmuar, dhe i pret drejtësia, shtoi Thaçi.

Kryeministri po ashtu porositi qytetarët që ta ruajnë qetësinë dhe të jenë të durueshëm, e njëkohësisht tu besojnë institucioneve vendore e miqve të tyre, në zgjidhjen e çështjes së veriut. Jam i bindur se të gjithë ju jeni të padurueshëm dhe kërkoni zgjidhje të shpejta të problemeve në veri. Por problemet që atje janë krijuar tani e 12 vjet nuk do të zgjidhen për 12 orë apo për 3 muaj. E potencoj, rikthim mbrapa nuk do të ketë, ka theksuar ai.

Thaçi ka përshëndetur edhe spektrin opozitar në Kosovë apo ata që kanë përkrahur veprimet e fundit të institucioneve vendore e ndërkombëtare për aksionet, përkatësisht për shtrirjen e autoritetit dhe sundimin e ligjit edhe në veri të Kosovës.

Me këtë rast i pari Qeverisë ka shtuar se aksionet e fundit në veri të Kosovës kanë qenë në koordinim të plotë me të gjithë mekanizmat relevantë vendorë e ndërkombëtarë, ku doganierët dhe policët e Kosovës do të jenë në veri njëherë e përgjithmonë, derisa Kosova të integrohet në Bashkimin Evropian. / Koha Ditore

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›