Kriza greke, shtyhet zgjidhja e kontestit të emrit të Maqedonisë
Kriza greke dhe formimi i një qeverie të përkohshme deri në organizimin e zgjedhjeve në Greqi do të shtyjë zgjidhjen e kontestit të emrit të Maqedonisë.
Kjo bëhet e ditur nga burime pranë Qeverisë së Maqedonisë, të cilët theksojnë se në këto kushte do të ketë situatë të status quo-së, në disfavor të vendit.
Situata e re në Greqi do ta shtyjë procesin e negociatave apo përpjekjeve për të arritur zgjidhje të shpejt për kontestin e emrit. Kjo nuk është aspak në agjendën e tyre, andaj vonesat do të ndikojnë rëndë në dëm të vendit tonë. Do të ndjekim zhvillimet e reja, por megjithatë siç thash në këtë rast, Maqedonia është humbëse, sepse po humb Samitin e NATO-s në Çikago, tha një zyrtar i lartë i qeverisë në Shkup.
Qeveria e përkohshme nuk pritet të ketë mandatin e saj për të udhëhequr negociatat për kontestin e emrit me Shkupin, ndërsa detyra e saj parësore është arritja e marrëveshjes për ndihmë nga Bashkimi Evropian dhe organizimi i zgjedhjeve, që do të sillnin në pushtet një koalicion dhe qeveri më stabile se ajo e Papandreut.
Mediat periferike greke në rajonin grek Maqedonia raportojnë për shtyrjen e procesit të negociatave për emrin, duke theksuar se kriza e rëndë ekonomike ka bllokuar totalisht problematikën e kontestit të emrit. Nga mesi i vitit të ardhshëm mund të rikthehet në axhendë kontesti i emrit, pasi të formohet qeveria e re greke, që do të dalë nga zgjedhjet.
Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ditë më parë në shpalosjen e arritjeve për 100-ditëshin e qeverisë së tij dhe për prioritetet e së ardhmes, në asnjë rast nuk ka përmendur çështjen e zgjidhjes së emrit dhe negociatat e mundshme në kuadër të një procesi që po zhvillohet nën patronazhin e OKB-së. Burime qeveritare në Shkup, bëjnë të ditur se kriza e thellë greke bën të pamundur një proces normal për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për zgjidhjen e kontestit të emrit. / INA