Thaçi: Qeveria nuk do të lejojë "keqpërdorim të së drejtës për protestë"

Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, në emër të institucionit që drejton, ka shprehur "keqardhje të thellë për protestën e dhunshme, të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje".
"Kosova është shtet demokratik dhe e ritheksoj se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Kjo e drejtë nuk do të cenohet nga askush asnjëherë. Por, unë me vendosmëri e riktheksoj se askush nuk ka të drejtë që ta keqpërdorë të drejtën e protestës për të venë në rrezik funksionimin normal të institucioneve legjetime të shtetit tonë", thuhet në deklaratën e Thaçit.
Sipas tij, Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat ligjore sipas standarteve dhe procedurave operacionale për të mbajtur situatën e qetë dhe nën kontroll gjatë protestës.
Kreu i ekzekutivit tha se Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor do të bëjnë analizën e detajuar lidhur me protestën në fjalë dhe do të japin "sqarime profesionale, të cilat duhet të saktësojnë qartë se, ka pasur tejkalim të përdorimit të mjeteve dhe metodave për zbatimin e operacionit për garantimin e lëvizjes së lirë gjatë protestës apo jo".
Lëvizja Vetëvendosje, të shtunën, organizoi një aksion në pikat kufitare: Merdarë dhe Dheu i Bardhë, me qëllim ndalimin e hyrjes së mallrave serbe në Kosovë, por u pengua nga Policia e Kosovës.
Kjo e fundit ka përdorur gazin lotsjellës dhe topat e ujit për shpërndarjen e protestuesve.
"Vetëvendosje" ka paralajmëruar se do të organizojë aksion të ngjashëm të dielën e ardhshme, përkatësisht më 22 janar.