Thaçi-Quintit: Do të përdorim të gjitha mjetet kundër zgjedhjeve serbe

Kryeministri Hashim Thaçi sëbashku me lider të partive opozitare ka realizuar një takim me ambasadorët e vendeve të Quintit, të cilët i ka informuar për qëndrimin e Republikës së Kosovës për pretendimin e Beogradit zyrtar që të organizojë zgjedhje në Kosovë.
“Vendimi qeverisë së Serbisë për organizimin e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të Serbisë në territorin e Kosovës, për mua dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, është edhe një agresion tjetër dhe cenim i sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Ky akt është i papranueshëm dhe i pazbatueshëm në shtetin tonë të pavarur.
Unë jam i vetëdijshëm se Serbia ka organizuar zgjedhje të tilla në Kosovë në të kaluarën, mirëpo deklaroj me seriozitetin më të madh se jam i vendosur që të përdori të gjitha mjetet që i parasheh Kushtetuta e vendit tim për të parandaluar një akt të tillë”, citohet në njoftimin për shtyp të kryeministrit të Kosovës.
“Kjo praktikë e dhunimit të integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Kosovës nga ana e Serbisë duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë”, ka shtuar në fund Thaçi.