Kosovë, opozita dyshon për përfundimin e mbikëqyrjes

Përfaqësuesit e opozitës kosovare nuk e konsiderojnë si deklaratë objektive, propozimin e kryeministri Hashim Thaçi se mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës do të ndodhë në vjeshtën e këtij viti. Madje opozita thekson se mbikëqyrja e pavarësisë nuk duhet të ndodhë në periudhën kur shumë çështje që lidhen me implementimin e pakos së Ahtisarit kanë mbetur të hapura, përfshirë këtu “veriun e rebeluar”.
Opozita gjithashtu thekson se deklarata e kryeministrit Thaçi se pavarësia përfundon në shtator, është propagandë e kreut të qeverisë.
Ahmet Isufi nga AAK-në tha se Kosova nuk është e gatshme që në shtator ta përmbyllë pavarësinë e mbikëqyrur. “Nëse bazohemi në angazhimet e kësaj qeverie dhe në efektet praktike që janë arritur, them që kjo qeveri ka degraduar në funksionim dhe po i sjell shumë dëme popullit të Kosovës. Para se të paraqiste data, kryeministri duhet të bëjë veprime që t`i besojë opinioni”, shtoi ai.
Me këtë neglizhim që po e bën kjo qeveri, sipas Isufit, po dëshmon se Thaçi duhet të hapë rrugën sa më parë në mënyrë që të vijnë forca që vërtet dinë të udhëheqin dhe ta marrin fatin e Kosovës në duart e tyre.
Ndërkaq, analisti Avni Zogiani, thotë se pavarësia e mbikëqyrur nuk do të përfundojë gjithësesi në shtator. Kjo, sipas tij,është propagandë për ta ndërruar opinionin negativ që është shkaktuar nga pranimi i rezolutës 1244.
“Nuk ka kuptim të flitet për përfundim të mbikëqyrjes së pavarësisë kur kompetencat më të rëndësishme në shtyllën kryesore të shtetit, gjyqësinë e policinë, i ka një mision i huaj. Thaçi gjithmonë ka luajtur me pretendime kontradiktore prej veprimeve të tij”, ka thënë Zogiani.
Sipas tij, Thaçi ka thënë që nuk pranon gjashtëpikëshin, ndërkohë që fakti që në fushat për të cilat është dedikuar ky plan, Kosova nuk funksionon në veri.