Thaçi: Rruga e Flamurit është rruga e kombit tonë

Në hapje ishte edhe kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama dhe përfaqësues të spektrit politik nga Kosova dhe Shqipëria.
Në një fjalë rasti kryeministri Thaçi ka falënderuar kryesocialistin Edi Rama për këtë aktivitet të rëndësishëm në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ka premtuar se më 28 nëntor të gjithë do të kremtojmë në Vlorë.
“Rruga e Flamurit është rruga e kombit tonë. Shqiponja dhe e kuqja e flamurit tonë flasin çart për kohezionin e popullit tonë. Ky është flamuri që bartë amanetet e gjeneratave për liri dhe pavarësi. Kuq e Zi ka qenë edhe flamuri që ka valuar me 17 shkurt 2008 me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”, theksoi kryeministri Thaçi, duke shtuar se ky flamur kuq e zi do të jetë në rrugëtimin tonë për shtetësi.
Më tutje kryeministri Thaçi ka thënë se me 27 nëntor do tu dhurojmë shqiptarëve Autostradën Tiranë - Prishtinë në të cilën do të udhëtojmë lirshëm për tu kthyer në festën e pritjes së Ramush Haradinajt në liri dhe fundit të padrejtësive që kanë ndodhur ndaj pjesëtarëve të UÇK-së.
Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama tha se ndër protagonistët e këtij transformimi të madh është Ushtria Çlirimtare e Kosovës, flamuri i së cilës është pjesë e këtij koleksioni.
Z. Rama pasi falënderoi kryeministrin Thaçi tha se unë nuk shoh z. Thaçi vetëm si kryeministër, por si një nga protagonistët që kanë shkruar emrin e tyre në historinë e flamurit shqiptar.
Ekspozita “Flamuj shqiptarë, itinerar historik, 1912-2012”do mbahet e hapur më 13-14 Nëntor në “Pallatin e Kulturës”, Gjakovë.