Po përparojmë

Kryeministri Hashim Thaçi ka folur gjerë e gjatë të hënën për procesin e bisedimeve. Për takimin e dytë me Kryeministrin e Serbisë, Ivica Dacic, të hënën ai ka raportuar në Presidencë, në Qeveri dhe në Partinë Demokratike të Kosovës.
Kreu i Qeverisë ka thënë se takimi i dytë me homologun e tij serb, Ivica Dacic, madje është zhvilluar në atmosferë pozitive.
Sipas tij, dialogu që po zhvillohet në Bruksel përbën mundësinë e vetme për të normalizuar raportet Kosovë – Serbi.
Sipas Thaçit, deri më tani gjithçka po shkon mirë.
“Në takimin e dytë kemi shënuar progres konkret, sidomos në çështjet e zbatimit të marrëveshjes teknike për Menaxhimin e Integruar të Kufirit. Si pikë të parë përsëri kam ngritur çështjen e personave të zhdukur që vazhdon të mbetet një problem shumë i dhimbshëm jo vetëm për familjarët e personave të zhdukur, mirëpo edhe për tërë shoqërinë tonë, jemi pajtuar se kjo çështje është humane dhe shumë e dhimbshme dhe që duhet të zgjidhet sa më shpejt”, ka thënë Thaçi.
Për bisedime me tone pozitive ka folur edhe Zëvendëskryeministrja e Serbisë, Snezana Grubjesic.
Por këtë ajo e ka bërë derisa ka folur për mundësinë që Serbia ta marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim me BE’në si rezultat i progresit në bisedime.
Ajo ka thënë se vlerësimin se a ka pasur progres të mjaftueshëm, do ta bëjë Këshilli i BE’së në muajin dhjetor.
“Ashtu si qëndrojnë punët, deri më tash janë bërë përparime në procesin e normalizimit”, ka thënë Grubjesic.
Por ajo ka thënë se a do ta marrë Serbia datën në dhjetor apo në muajin mars të vitit të ardhshëm, mbetet të vlerësohet nga Bashkimi Europian.
Përveç çështjes së të zhdukurve, Thaçi ka thënë se me Kryeministrin Dacic janë diskutuar edhe 5 tema të tjera.
Duke folur për marrëveshjen IBM, Thaçi ka thënë se zbatimi i saj do të fillojë muajin e ardhshëm.
“Lidhur me këtë jemi pajtuar që zbatimi në praktikë të fillojë në muajin dhjetor, në 4 vendkalime: Bërnjakë, Jarinje, Merdar dhe te pika kufitare Dheu i Bardhë.
Ndërsa sa u përket dy pikave të tjera kufitare, asaj të Mutivodës dhe Muçibabës, do të fillojë në periudhë të mëvonshme për shkak të çështjeve teknike”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, pikëkalimet e përbashkëta Kosovë – Serbi do të ndërtohen në një fazë tjetër.
“Natyrisht, zbatimi i IBM’it në këtë fazë do të vihet në pikat ekzistuese kufitare, sipas marrëveshjeve të arritura në mes të grupit të ekspertëve. Në fazën e mëvonshme, Bashkimi Europian është zotuar se do të financojë ndërtimin e vendkalimeve kufitare të përbashkëta për zbatimin sa më efikas të IBM’it, që priten të ndërtohen në zonat neutrale në mes të Kosovës dhe Serbisë”.
Thaçi ka thënë se EULEX’i në këtë çështje do të ketë rol në përputhje me mandatin që i ka dhënë Kuvendi i Kosovës.
Një temë tjetër që është diskutuar, sipas Thaçit, është hapja e zyrave të dy vendeve në Kosovë dhe Serbi.
“Sa i përket kësaj, Serbia ka ende rezerva të saj se e kupton qartë se një hap i tillë është edhe mesazh konkret i njohjes së shtetit të Kosovës. Unë shpresoj se progres konkret do të ketë në takimin e radhës, sepse kjo radhitet në kushtet e dhëna nga Bashkimi Europian”, ka thënë Thaçi.
Duke folur për çështjen e financimit të strukturave paralele si temën e katërt që është biseduar në Brukseli, Thaçi ka thënë se Serbia në këtë aspekt gjithçka duhet ta bëjë në mënyrë transparente.
“Ndalimi dhe zhbërja e atyre strukturave është çështja kryesore që ndërlidhet me procesin e normalizimit të marrëdhënieve për më tepër ky është kushti kyç që duhet të përmbushë Serbia në raport me BE’në për të ardhmen europiane të saj. Ne nuk mohojmë të drejtën e interesimit të Serbisë për qytetarët serbë në Kosovë”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka thënë se me kryeministrin serb ka trajtuar edhe çështjen e trashëgimisë kulturore, e cila sipas tij, adresohet në Pakon e Ahtisaarit mjaft mirë.
“Unë kam propozuar krijimin e një njësie të veçantë në kuadër të policisë multietnike të Kosovës, e cila do të merret me ruajtjen e tyre dhe të trashëgimisë fetare e kulturore. Policia tashmë ka marrë në mbrojtje nga KFOR’i disa nga këto objekte dhe do të ishte shumë pozitive që këtë ta bëjë edhe me objektet që sigurohen nga KFOR’i. Por gjithçka dhe hapat e tjerë që do të ndërmerren do të jenë të koordinuar me KFOR’in”, ka thënë ai.
Thaçi ka thënë se si pikë e gjashtë në agjendën e bisedimeve Kosovë – Serbi është trajtuar çështje e autostradës Prishtinë – Nish, e cila sipas tij, ka qenë ide e Prishtinës.
Zyrtarë të Qeverisë janë zotuar se nuk do të lejojnë që të ndryshojë kahja e autostradës.
“Kjo ka qenë ide e jona që të përmbyllim dhe të finalizojmë projektin e autostradës Vërmicë në drejtim të Prishtinës deri në kufi me Serbinë, pra është ide e RKS’së. Për këtë projekt ka marrë mbështetjen e BE’së dhe kjo theksohet qartë në deklaratën përfundimtare të Baroneshës Ashton, pas takimit me mua dhe Kryeministrin e Serbisë”, ka theksuar ai.
Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim që Thaçi të raportojë para deputetëve të premten.
Ndërkohë, bisedimet Kosovë – Serbi pritet të vazhdojnë gjatë muajit dhjetor.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka paralajmëruar tema të reja gjatë këtij raundi, por nuk ka treguar më shumë për to.
“Presim që nga takimi i radhës të kemi rezultate konkrete për temat që janë diskutuar deri më tani, natyrisht që mund të jetë edhe një temë e re”, ka thënë Kuçi.