E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: S’e kam vendosur në do jem sërish kryeministër apo president

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi lë të hapur mundësinë e kandidimit si president në të ardhmen e tij politike. Shtrëngimi i duarve me Tadiç...? “Nuk është çështje personale, as emocionale, kjo është përgjegjësi kushtetuese si dy liderët më të votuar, unë në Kosovë dhe presidenti Tadiç në Serbi”.

Intervistoi: Ilva Tare

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi lë të hapur mundësinë e rikandidimit si kryeministër, po aq sa si president. Në një intervistë për emisionin “Tonight” të gazetares Ilva Tare, Thaçi pohon se ende nuk e ka menduar se si do të vijojë karriera politike, ndërsa komenton situatën në veri të Kosovës, por edhe takimet me presidentin serb, Tadiç.

Këtë material dua ta nis me një pyetje të drejtpërdrejtë, kur ka qenë hera e fundit që keni qenë në veri të Mitrovicës?

Para dy javësh. Në veri por edhe në të gjitha hapësirat e territorit të Republikës së Kosovës, unë lëviz rregullisht, jam në kontakt me të gjithë qytetarët e vendit në çdo qoshe të Republikës së Kosovës, në kontakt për t’u informuar me hallet, problemet dhe shqetësimet e tyre dhe në kuadër të kësaj, prezenca ime nuk është ndonjë datë e veçantë, për shkak se janë vizita të shpeshta.

Megjithatë, me shqiptarët që unë vizitova në veri të Mitrovicës, ata ndjehen të pambrojtur nga shteti, nga policia dhe të frikësuar për jetën e tyre. A ndjeheni përgjegjës për sigurinë e jetës së shqiptarëve në veri të Mitrovicës?

Unë iu shërbej gjithë qytetarëve të vendit, dhe shqiptarëve, dhe serbëve, të gjithëve, dhe situata e re e krijuar në Mitrovicë pas 25 korrikut është një rrethanë e re, një realitet i ri, një përgjegjësi e re kushtetuese dhe ligjore. Qeveria e Kosovës nuk është në konflikt me qytetarin në veri, atje është në konflikt joligji me ligjin, e mira me të keqen. Do fitojnë e mira dhe ligji, do fitojë rendi kushtetues dhe ligjor, gjithë përkushtimi ynë është që të krijohet një atmosferë e sigurt dhe mund ta them lirisht që të gjithë qytetarët janë të sigurt, institucionet janë prezente në pikat kufitare 1 dhe 31, por është prezent dhe autoriteti i EULEX dhe NATO.

Kontrabandë që hynte në Kosovë nga veriu, shkonte jo vetëm për konsumin e 40 000 banorëve në veri, por hynte dhe në pjesën tjetër të Kosovës. A ishte e domosdoshme të shkohej me forca speciale për t’iu përgjigjur këtyre kontrabandistëve, kur fare mirë mund të luftohej kontrabanda në brendësi të Kosovës?

Në fakt, kontrabanda ka qenë multietnike, e organizuar prej strukturave kriminale dhe ilegale në veri, të lidhura dhe në jug, kanë qenë të mirorganizuar dhe ka qenë e domosdoshme marrja e vendimit më 25 korrik për dërgimin e njësive speciale në njësitë 1 dhe 31. Pra ka qenë vendim i drejtë, i pashmangshëm, ndoshta i vonuar për 12 vite që nuk është marrë, ka qenë vendim kushtetues dhe ligjor, si dhe në përputhshmëri me dokumentin e presidentit Ahtisaari dhe me rezolutën 12 44. Njësia speciale nuk ka shkuar atje vetëm në kuptimin e ndaljes së kontrabandës, por për ta marrë definitivisht në kontroll pikën kufitare të Republikës së Kosovës, që kufizohet me Serbinë, për të kontrolluar 80 km e kufirit që nuk kontrolloheshin nga askush dhe mund të them që tani, gradualisht ajo pjesë e territorit të Kosovës dhe ajo vijë kufitare kontrollohen nga autoritetet e Kosovës, ato ndërkombëtare, të EULEX-it dhe NATO-s. Natyrisht nuk është bërë punë e përkryer, por ende jemi duke u munduar që të bëjmë punën më të mirë të mundshme. Kjo rrethanë e re ka pengesa, ka vështirësi, kundërshtarë, por që në asnjë rrethanë nuk mund të sfidojnë rendin e ligjin dhe qëllimin tonë të mirë, si dhe përgjegjësinë tonë kushtetuese e ligjore.

Keni thënë ditët e fundit që jeni gati për një marrëveshje historike. Pas deklaratës suaj, përfolja midis analistëve flet për një marrëveshje ndoshta të fshehtë, Serbia të marrë Veriun e Kosovës, në këmbim të njohjes së pavarësisë.

Kushdo që ka prezantuar diçka të tillë nuk ka lidhje me të vërtetën, por jam në favor të mbylljes së konfliktit mes shqiptarëve dhe serbëve. Përmbyllet dhe konflikti mes Kosovës dhe Serbisë, dhe kur kam folur për domosdoshmërinë e mbylljes së kapitullit, errësirës dhe luftës, kam folur drejtpërdrejt për nevojën e domosdoshme të njohjes reciproke ndërmjet dy vendeve, që do të ishte natyrisht një vendim historik për të dyja vendet.

Çfarë përshtypjesh personale janë krijuar pasi keni shtrënguar duart me Tadiç?

Nuk është çështje personale, as emocionale, kjo është përgjegjësi kushtetuese si dy liderët më të votuar, unë në Kosovë dhe presidenti Tadiç në Serbi; nuk është diçka e jashtëzakonshme dhe e panjohur për opinionin kosovar. Janë zhvilluar takime në Vjenë, Nju-Jork dhe Bruksel mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë, kemi pasur dhe drekat e përbashkëta dhe darka të përbashkëta, ku nuk kanë munguar duarshtrëngimet dhe bisedat zyrtare, por edhe miqësore.

ǒdo të bëni në zgjedhjet e ardhshme, do të kandidoni si kryeministër i Kosovës?

Jam 100 % i përqendruar në angazhimet e mia në realizimin e projekteve që i kam premtuar para qytetarëve të vendit, dhe tash për tash nuk kam menduar në do vazhdoj të rikandidoj për kryeministër dhe as që kam menduar në do kandidoj për president.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›