E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Shqipëria ka përkeqësuar borxhin

SHKRUAN: Blerina Hoxha 06-10-2011 16:32

Disa tregues të ekonomisë shqiptare, sidomos ata në lidhje me borxhin, janë përkeqësuar në Shqipëri për shkak të ndikimeve që po jep edhe kriza e Eurozonës. Të dhënat u njoftuan nga një raport djeshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar për ekonominë e Europës. Në këtë publikim janë marrë në konsideratë zhvillimet më të fundit në raport me krizën, ndërkohë që FMN-ja, specifikisht i tërheq vëmendjen Shqipërisë të bëjë më shumë kujdes në çështjen e menaxhimit të borxhit. Sipas raportit të Fondit, Shqipëria dhe Hungaria janë shumë të ekspozuara ndaj borxhit afatshkurtër, i cili zë pjesën më të madhe të detyrimeve totale. Duke marrë në konsideratë këtë situatë, FMN lajmëron se, borxhi afatshkurtër rrezikohet edhe më shumë nga rrisku i kursit të këmbimit. Ndërkohë që në raport me vende të tjera të Europës, Fondi jep një vlerësim të mirë ndaj Shqipërisë për sa i përket ritmeve të rritjes ekonomike dhe qasjes së bankave ndaj krizës. Kështu, ekonomia e Shqipërisë paraqitet mirë për sa i takon normës së inflacionit në raport me vendet e rajonit, të cilat e kanë pasur nivelin e përgjithshëm të çmimeve më të lartë, cilëson raporti. Por niveli i inflacionit në vendin tonë ishte shumë më i lartë se ai i vendeve të zhvilluara të Europës dhe më i ulët se i vendeve të Rajonit. Ndërsa ekonomia jonë paraqitet mjaft pozitive me ritmet e rritjes ekonomike si në raport me rajonin, por edhe me Europën. FMN vlerëson se, ekonomia globale nuk është në një klimë të favorshme këtë vit, për shkak të disa ngjarjeve që kanë tronditur mbarë globin. Tsunami në Japoni, trazirat në vendet arabe dhe kriza e borxheve në Europë, e kanë vënë ekonominë globale para një situate të vështirë dhe ritmet e ekonomisë globale janë vështirësuar. Për shkak të këtyre ngjarjeve, njofton Fondi Monetar Ndërkombëtar, parashikimet për rritjen e ekonomisë globale janë ulur në shtator në krahasim me parashikimin e prillit. Ndërkohë që nuk ka ende rezultate të sakta për përshkallëzimin e krizës në Europë, e cila e ka ndikuar kërkesën për mallra më shumë sesa pritej. Konsumatorët, bankat dhe investitorët kanë ngrirë planet e tyre në pritje të zhvillimeve të mëtejshme. Kështu, FMN-ja parashikon që ekonomia e Europës në tërësi të rritet me 2.3 për qind, nivel ky më i ulët se i vitit që shkoi. Ndërkohë që Fondi vë në dukje se, vendet e Europës kanë diferenca të mëdha në ritmet e rritjes së tyre. Në vendet në zhvillim të Europës ku përfshihet edhe Shqipëria, pritet që rritja ekonomike këtë vit të jetë 4.4 %. Ndërkohë që përveç Greqisë, vend të tilla si Spanja, Portugalia dhe Italia, gjenden para presionit në rritje për financimin e kostove të borxhit. Ndërkohë që FMN-ja vlerëson se, ekonomia e Turqisë dhe Polonisë kanë arritur të rikuperohen duke u kthyer në nivelet e parakrizës

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›