E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama flet për sfidat në fjalimin e parë vjetor(Video)

Në fjalimin e tij Presidenti Barack Obama e vuri theksin në krijimin e vendeve të reja të punës dhe rregullimin e ekonomisë.

Zoti Obama e pranoi se paketa e shpëtimit të qeverisë për bankat kishte ngjallur shumë zemërim në popull, por tha se ky hap ishte i nevojshëm për të stabilizuar sistemin financiar.

Presidenti Obama tha se nuk do t'ia linte trashëgim brezit të ardhshëm deficitin e madh buxhetor dhe situatën e rëndë që ai gjeti kur mori postin.

"Një vit më parë, unë e mora postin mes dy luftrave, kur ekonomia ishte prekur nga recesioni i rëndë, kur sistemi financiar ishte në prag të falimentimit dhe qeveria e zhytur thellë në borxh. Ne vepruan menjëherë dhe me energji. Tani më të keqen e kemi lënë prapa. Por, pasojat shkatërrimtare të kësaj stuhie vazhdojnë. Një në dhjetë amerikanë ende nuk gjen dot punë, shumë biznese janë mbyllur, vlera e shtëpive ka rënë. Në mënyrë të veçantë, qytezat e vogla dhe komunitetet rurale janë prekur shumë rëndë", tha Presidenti Obama.

Ai e paralajmëroi Kongresin se duhet të ndryshojë mënyrën se si funksionon për të rifituar besimin e popullit amerikan.

Reforma shëndetësore

Presidenti Obama ritheksoi angazhimin e tij për reformën e debatueshme në sistemin e kujdesit shëndetësor në Shtetet e Bashkuara.

Paketa e reformave për kujdesin shëndetësor me theks të veçantë në fushën e sigurimit shëndetësor, ende nuk është miratuar nga Kongresi.

Zotu Obama pranoi se kjo ishte një çështje komplekse dhe pranoi se ndjente përgjegjësi që nuk ua kishte spjeguar si duhet amerikanëve planet për këtë reformë.

Ai i bëri thirrje Kongresit që të mos i shmangej miratimit të reformës në shëndetësi.

Politika e jashtme

Duke folur për çështjet e politikës së jashtme, Presidenti Obama tha se armët bërthamore përbënin kërcënimin më të madh për Shtetet e Bashkuara.

Ai e paralajmëroi udhëheqjen iraniane se do të përballej me pasoja nëse vazhdonte të shpërfillte angazhimet e saj ndërkombëtare.

Presidenti Obama tha se të gjithë ushtarët amerikanë duhet të jenë larguar nga Iraku deri në fund të muajit gusht të këtij viti.

Ai ritheksoi se numri i trupave amerikane në Afganistan do të rritet, por në korrik të vitit të ardhshëm rolin kryesor në fushën e sigurisë duhet ta marrin forcat afgane dhe ky moment duhet të shënojë fillimin e tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani. /bbc/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›