E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta energjetike

Është bërë traditë që Europa më 1 janar të zgjohet me një kokë - dhimbje të madhe ruse.

Në fillim të viteve 2006 dhe 2009, Rusia ndërpreu furnizimin e Ukrainës me gaz, pas mospajtimeve për çmimin e gazit, e që rezultoi me pengimin e furnizimit të shteteve anëtare të BE-së me gaz dhe atë në mes të dimrit.

Këtë janar, e gjithë vëmendja ishte përqendruar kah Bjellorusia, e cila gjithashtu është në grindje me Moskën për çmimin e gazit, duke kërcënuar kështu sërish furnizimin e Europës. Por gati katër javë sa po zgjatë grindja, tani kemi një kthesë: Kazakistani, një ish-republikë tjetër sovjetike, ndërhyri javën e kaluar, për t’i ofruar Bjellorusisë furnizim me naftë. Tani, mjeti më i besueshëm i Kremlinit për të kontrolluar fqinjët e vet - shantazhi energjetik - po rrezikon ta godas Moskën në fytyrë.

Fillimi i grindjes ishte tipik. Bjellorusia, sikur edhe shumë ish-republika të tjera sovjetike, për dy dekada të tëra ka gëzuar furnizimin me gaz dhe naftë të subvencionuar nga Rusia, pjesërisht në shkëmbim të besnikërisë së vet, pas shembjes së Bashkimit Sovjetik. Bjellorusisë madje i është lejuar që të blejë me çmim të lirë naftën e papërpunuar, të cilën më pas e ka përpunuar dhe ja ka shitur Europës me një çmim shumë më të lartë, duke përfituar shumë nga kjo tregti.

Por gjatë tri viteve të kaluara, presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka filluar ta shpalosë pavarësinë e tij në mënyrë subtile. Pas luftës Rusi-Gjeorgji në vitin 2008, Lukashenko refuzoi të njohë pavarësinë e enklavave separatiste të Gjeorgjisë, Osetisë së Jugut dhe Abhazisë, përkundër trysnisë së ushtruar nga Moska. Lukashenko gjithashtu iu bashkua edhe Iniciativës Lindore të BE-së, të krijuar në vitin 2008, për të forcuar lidhjet ndërmjet Europës dhe ish-bllokut sovjetik, duke hidhëruar kështu mjaft Rusinë.

Në qershor të vitit të kaluar, Bjellorusia nuk pranoi të marrë pjesë në një samit të sigurisë në Moskë, pasi që Rusia ndaloi importimin e prodhimeve ushqimore nga Bjellorusia.
Më pas, në fund të vitit të kaluar, grindja eskaloi edhe më tutje, pasi që Rusia vendosi se Bjellorusia nuk i meriton më subvencionet energjetike të Moskës. Pas skadimit të kontratës ekzistuese për naftë ndërmjet dy vendeve, më 31 dhjetor, Rusia kërkoi një pagesë shtesë prej 2.5 miliardë dollarë, shumë kjo e cila përbën pesë për qind të ekonomisë së Bjellorusisë.

Moska gjithashtu la të kuptojë se me qëllim që të mbajë të ulët çmimin e naftës, Bjellorusia duhet t’i japë Rusisë aksione në infrastrukturën e vet energjetike, me saktësisht në rafineritë, të cilat i shfrytëzon për përpunimin e naftës, të cilën ia shet Europës.

Kjo do të shkonte në favor të synimit të Rusisë, që të kontrollojë zinxhirin e furnizimit me energji, duke filluar nga fushat e naftës në Sibir, e deri te depot e gazit në Europën Perëndimore.

Por për javë të tëra, Bjellorusia refuzoi të pranojë kushtet e Rusisë, duke ngrirë kështu marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe duke e rrezikuar furnizimin e Europës. Negociatat ndërmjet dy vendeve në fund rezultuan me shkëmbim të letrave, me kërkesa kundërthënëse.

Përkundër qëndrimit të ashpër, Lukashenko lëshoi pe dhe analistët ishin të mendimit se Rusia në fund do të arrinte sërish synimet e veta. Ekonomia dhe siguria e Bjellorusisë ende janë të varura nga Rusia, përkundër përmirësimit të marrëdhënieve me Perëndimit.
Hiq më larg se muajin e kaluar, Lukashenko pranoi se shkëputja e marrëdhënieve me Kremlinin do të rezultonte me “vdekjen e tij politike”.

Megjithatë, në javën e tretë të janarit, në lojë ndërhyri Kazakistani. Ky vend theksoi se nëse Rusia refuzon të furnizojë rafineritë e Bjellorusisë me naftë, atëherë Kazakistani do të ishte i lumtur që t’ia zinte vendin Moskës.

“Nevojat e rafinerive në Bjellorusi do të përmbushen me naftën nga Kazakistani”, deklaroi Anatoly Smirnov, ambasador i Kazakistanit në Bjellorusi.

Në pjesët e tjera të botës, ky do të dukej një aranzhuan tërësisht normal. Por ky është oborri i Rusisë. Dhe Moska, e cila ende nuk ka reaguar ndaj ofertës së Kazakistanit, me gjasë nuk do ta pret aspak mirë lajmin që dy ish-republika sovjetike lidhin marrëveshje energjetike, prapa shpinës së saj.

Sidoqoftë, oferta dëshmon se shumë shtete ish-sovjetike mund të mos qajnë më kokën për atë se çfarë mendon Moska. Ndjenja e kundërshtimit në rajon është forcuar, pas luftës ndërmjet Rusisë dhe Gjeorgjisë.

“Ky konflikt ka ndryshuar në tërësi paradigmën e mbrojtjes. U bë e qartë se është e pamundur të kesh pavarësi dhe siguri kombëtare në sferën ruse të ndikimit”, theksoi Anatoly Gritsenko, i cili ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes i Ukrainës, nga viti 2005 deri në vitin 2007.

Partneriteti ndërmjet Kazakistanit dhe Bjellorusisë, dy aleatëve më besnikë të Moskës, do të mund të dobësonte edhe më shumë ndikimin e Rusisë në rajon. Por duke pasur parasysh varësinë e dy shteteve nga tregtia me Rusinë, ky partneritet ende duket si një mundësi tejet e largët, ndërsa pjesa më e madhe e analistëve theksoi se oferta e Kazakistanit bërë Rusisë, sipas të gjitha gjasave është një blof.

Por një gjë është e sigurt: Rusia tani po vëzhgon me kujdes dy vendet. Nëse Bjellorusia dhe Kazakistani lëvizin përpara me këtë marrëveshje, Moska duhet të gjejë shtigje të reja për të frenuar gurgullimat e kryengritjes në fqinjësinë e vet.

(Time)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›