Alfabetet: dukuri, identitete dhe rasti i shqipes
Nuk ka dyshim se historia e qytetërimit është e lidhur me historinë e shkrimit. Madje, shpesh, një qytetërim i caktuar identifikohet me tipin e shkrimit në të cilin është dokumentuar: shkrimi hieroglifik të kujton qytetërimin egjiptian apo identifikon edhe sot e kësaj dite qytetërimin kinez; shkrimi i tipit kunjoz të shpie në Mesopotami; ndërsa sistemi alfabetik të shpie në Greqinë e Vjetër e të sjell në Evropën e sotme.
Sot në Evropë përdoren tre alfabete (historikisht tre variante) dhe nënvariantet e tyre. Të shkruarit e gjuhës shqipe dhe krijimi i alfabetit të saj është pjesë e natyrshme e zhvillimeve historike e kulturore të qytetërimit të sotëm evropian. Alfabeti i gjuhës shqipe nuk është veçse pjesë e një tërësie, e një bashkësie variantesh dhe secili nga variantet e ndryshme alfabetike të gjuhëve të Evropës së sotme është rrjedhojë e një dukurie të caktuar, brenda një procesi të përbashkët. Duke hetuar në historinë e alfabeteve apo varianteve alfabetike të ndryshme, mund të veçojmë disa dukuri të përgjithshme, që kanë përcaktuar zhvillimin ose prirjet e zhvillimit, që kanë përcaktuar të përbashkëtat, por edhe të veçantat, si: lindja e alfabetit, krijimi, ndërrimi, përpunimi, përshtatja e pasurimi. Njohja e këtyre dukurive do të na lejojë të japim një gjykim më të drejtë edhe për alfabetin tonë.
Lindja e alfabetit / Krijimi i alfabetit të parë mund të pranohet si dukuria e lindjes “natyrale” të alfabetit. Kjo dukuri nuk është e papritur, por, siç do të shihet, është rezultat i zhvillimeve të njëpasnjëshme. Tipat e shkrimit (që pa dyshim janë zhvillime të njërit nga tjetri) dallohen, së pari, nga parimi bazë mbi të cilin organizohen dhe, së dyti, nga natyra e sistemit të shenjave shkrimore që përdoren. Natyra e sistemit të shenjave shkrimore përcaktohet detyrimisht nga kërkesat e parimit. Parimi mund të kërkojë që shenjat shkrimore të shënojnë një nocion apo një ide, të shënojnë një rrokje ose të shënojnë një tingull të vetëm.
Kështu, që në kohë të hershme lindën shkrimi piktografik me piktogramat, shkrimi ideografik me ideogramat, shkrimi logografik apo hieroglifik. Në një fazë më të re u bë e mundur që fjalët të analizoheshin në elemente më të thjeshta përbërëse (rrokje e tinguj). Në shkrimin silabik (rrokjesor) shenjat shkrimore shënojnë një rrokje, si në sistemet kunjoze (kuneiform); ndërsa në shkrimin fonematik shenjat shkrimore shënojnë një tingull (fonemë).
Përmendëm, kështu, disa tipa shkrimi, por na intereson këtu të diskutojmë vetëm për tipin e fundit, shkrimin fonematik, sepse koncepti alfabet është i lidhur me këtë tip të shkrimit.
Organizimi i shkrimit fonematik arrihet vetëm pasi të jenë zgjidhur paraprakisht dy kërkesa:e para, inventarizimi i tingujve (fonemave) të gjuhës që do të shkruhet dhe, e dyta, organizimi i sistemit të shenjave shkrimore. Në këtë mënyrë lidhen shenjat apo shkronjat (grafemat) me tingujt (fonemat) dhe lind alfabeti, sistemi më ekonomik i shkrimit.
Të parët që e arritën këtë ishin grekët e vjetër. Grekët e ndërtuan alfabetin e tyre duke shfrytëzuar një sistem shkrimor rrokjesor që përdorej nga fenikasit e, më pas, nga asirobabilonasit. Fenikasit, nga ana e tyre, kishin ndërtuar sistemin e vet rrokjesor të mbështetur te shkrimet ideografike që përdoreshin më parë në Mesopotami. Shenja e parë e rrokjesorit fenikas quhej halef(në gjuhët semite ishte koka e kaut), prej këtej në greqishte alfa (të gjitha shkronjat kanë historinë e tyre), shkronja e dytë e alfabetit grek quhet beta. Kështu, me bashkimin e emrave të dy shkronjave të para të sistemit shkrimor grek u pagëzua “krijimi i ri” i atij qytetërimi, vazhdim i të cilit është qytetërimi i sotëm evropian.
Krijimi i alfabetit / Do të quhet kështu dukuria e përftimit të një alfabeti (zakonisht me përpjekjen e individëve të caktuar) që, për një arsye apo për një tjetër, nuk arrin dot të bëhet pronë e përbashkët për gjithë shoqërinë. Është fjala për atë kategori alfabetesh që njihen gjithandej me termin “alfabete origjinale”. Edhe në historinë e shkrimit të shqipes kemi pasur disa raste të përdorimit të alfabeteve origjinale.
Një nga arsyet më të forta që do të pengonte përqafimin e një alfabeti origjinal, do të ishte mospërputhja e tij me prirjet e përgjithshme të zhvillimit (të qenit jashtë kohës).
Përpjekje të kësaj natyre, sot, janë të destinuara të dështojnë.
Ndërrimi i alfabetit / Sistemet e sotme shkrimore janë rezultat i përpunimeve të vazhdueshme, duke nisur me disa figura të thjeshta që tregojnë një send apo një ide, për të arritur te simbolet e pastra që shënojnë një tingull.
Pra, sistemi i shenjave shkrimore të një gjuhe, në gjendjen e sotme, është thjesht konvencional, një tërësi simbolesh. Shenjat shkrimore nuk kanë lidhje organike me gjuhën, që do të thotë se edhe shkronjat nuk kanë lidhje organike me tingujt. Prej kësaj rrjedh mundësia për ndërrim.
Kështu, në sistemin fonematik mund të ndodhë të ndërrohet sistemi i shenjave shkrimore, sistemi i shkronjave, pra, mund të ndërrohet alfabeti. Kjo nuk ka dyshim që krijon probleme, megjithatë nuk janë të pakta rastet kur, për rrethana të caktuara historike, për masa politike apo për nevojat e zhvillimit teknologjik, gjuhë të caktuara kanë ndërruar alfabetin. Kështu, për shembull, persishtja e vjetër është shkruar me sistemin shkrimor kuneiform (sistemi kunjoz); për persishten e mesme u përdor sistemi pahlavi. Persishtja e re, pas përqafimit të islamit, nisi të shkruhet dhe shkruhet edhe sot e kësaj dite me alfabetin arab të përshtatur, ndërsa, në internet (sms, chat etj.), shkruhet shumë mirë edhe me alfabetin latin. Varianti taxhik i persishtes standarde (gjuha zyrtare e Taxhikistanit), që nga koha kur Taxhikistani u bë pjesë e BRSS-së, shkruhet me alfabetin cirilik. Gjithashtu, kanë ndërruar alfabet edhe turqit (nga arab në latin), kroatët (cirilik në latin) dhe moldavët dy herë (latin në cirilik-cirilik në latin).
Dukuria e ndërrimit do të përfshinte edhe një fakt tjetër: ndërrimin e kahut të shkrimit. Grekët njohën fillimisht shkrimin nga e djathta dhe kështu nisën të shkruanin edhe vetë. Po ashtu e filluan shkrimin edhe latinët e etruskët, sepse e fituan atë prej grekëve. Shumë shpejt grekët e latinët ndërruan kahun dhe nisën të shkruanin nga e majta, ndërsa etruskët vazhduan të shkruanin nga e djathta në të majtë.
Përpunimi i alfabetit / Përpunimi nënkupton ndryshime të rëndësishme në një sistem shenjash shkrimore në atë masë, sa varianti i përftuar të konsiderohet një sistem i ri. Ndryshime të tilla, që do ta ndryshonin thelbësisht variantin në fjalë, duhet ta prekin atë në disa aspekte:1. Të prekin formën e njësive shkrimore: në një pjesë të mirë njësitë duhet të kenë forma të ndryshme (krahaso shkronjat greke , , , , , me përgjegjëset latine x, p, r, s, f, t). 2. Të prekin inventarin e shenjave: sipas mundësisë të shtojnë ose të pakësojnë shenjat (shkronjat cirilike , , , , nuk i njeh as alfabeti grek, as ai latin).3. Të prekin vlerën e njësive që dalin me formë të njëjtë (c në latinishte lexohet si k e shqipes, ndërsa në rusisht si s e shqipes).
Përmendëm më lart se grekët e morën shkrimin nga fenikasit, përpunuan sistemin e tyre kunjoz (kuneiform) dhe ndërtuan atë që sot quhet alfabeti grek. Edhe latinët ndoqën të njëjtën linjë: përpunuan alfabetin grek dhe ndërtuan atë që sot quhet alfabeti latin; edhe Wulfila mbi bazën e alfabetit grek ndërtoi alfabetin gotik; Cirili dhe Metodi përpunuan, gjithashtu, alfabetin grek dhe i pajisën gjuhët sllave me atë që sot quhet alfabeti cirilik.
Përshtatja e alfabetit / Një alfabet mund të përdoret për më shumë se një gjuhë dhe kjo është e mundur në saje të faktit që shenjat e alfabetit shënojnë tingujt e gjuhës dhe çdo gjuhë është e analizueshme në njësi minimale fonetike. Por sistemet fonemore të gjuhëve të ndryshme nuk mund të përputhen plotësisht me njëri-tjetrin, kështu që lind nevoja për ndryshime të pjesshme. Ndryshimet e pjesshme të alfabetit, në varësi të sistemit fonemor të një gjuhe, pa prekur thelbin e tij, realizojnë atë që quhet përshtatje.
Përshtatja duhet të nënkuptojë: 1. shtimin e ndonjë shkronje (si: k, y, w në anglisht, apo j në frëngjisht), 2. mënjanimin e ndonjë shkronje (si: x në italisht), 3. përdorimin e shenjave diakritike (si ç, ë etj.), 4. ndryshimin e vlerës së ndonjë shkronje (u në frëngjisht lexohet si y, y në anglisht si i), 5. vendosjen e disa rregullave në kombinimin e shkronjave (c+i në italisht lexohet si ç).
Etruskët mund të përmenden si të parët që realizuan përshtatjen e një alfabeti. Ata morën alfabetin grek, që nga fillimi i shekullit VII para Krishtit, prej kolonëve helenë në brigjet e Tirrenit, dhe e përshtatën për gjuhën e tyre. Mjaftuan vetëm dy ndryshime: Shenja O të lexohej si th e shqipes dhe M të lexohej si s e shqipes. Persët, gjithashtu, nuk e përdorin pa ndryshime alfabetin arab: ata kanë ndryshuarformën e dy shkronjave arabe dhe kanë shtuar edhe 4 shenja të reja.Sot në të gjitha gjuhët e Evropës Perëndimore përdoret alfabeti latin i përshtatur. Anglishtja përdor 26 shkronja.
Dihet se italishtja është vazhduese e drejtpërdrejtë e latinishtes dhe vazhdon të shkruhet me alfabetin latin, por alfabeti në përdorim për italishten e sotme nuk është identik me atë të latinishtes klasike. Italishtja nuk ka përdorur shkronjën x që ka qenë në përdorim në latinishten klasike, kështu: (22-1=21),por, nga ana tjetër, në rrjedhë të kohës, bashkë me fjalët e huazuara nga gjuhët e tjera (yogurt, rock, Wind), ka fituar katër shkronjat “e reja” (j, k, y, w) dhe ka rifituar edhe x. Kemi: 21+4+1=26.
Spanjishtja përdor 27 shkronja: 26+ñ. Gjermanishtja përdor në total 30 shkronja: 26 shkronjat latine + 3 me shenja diakritike (ä, ö, ü) + 1 origjinale (ß), por të katërta shkronjat e shtuara po mënjanohen. Në vend të ä po përdoret ae, në vend të ö përdoret oe, në vend të ü po përdoret ue; ndërsa në vend të ß po përdoret ss. Kështu kemi po 26 shkronja.
Në asnjë rast, në gjuhët e përmendura më sipër, nuk ndodh që numri i shkronjave të jetë i barabartë me atë të fonemave. Në spanjisht, për shembull, ku kemi ndryshesën më të vogël, 27 shkronjat përdoren për të mbuluar 30 fonema. Në italisht nuk kemi shkronja të veçanta për të shënuar fonemat që në shqip shënohen me ç, nj, rr, sh, xh. Në frëngjisht përdoren 26 shkronja, nga të cilat: 6 për të shënuar 16 fonema zanore dhe 20 për të shënuar 17 bashkëtingëllore.
Pasurimi i alfabetit / Përshtatja sjell për pasojë edhe rritjen e numrit të shenjave ose pasurimin e alfabetit. Përdorimi i alfabetit latin në gjuhë të ndryshme të Evropës ka bërë që ai të pasurohet gjatë kohës me katër shkronja: j, k, y, w, që janë përftuar gjithashtu nga përpunimi i shkronjave greke. Kështu, në qoftë se alfabeti i latinishtes klasike përbëhej nga 22 shkronja, sot, ai që quhet kështu, përbëhet nga 26 shkronja. (a, b, c, d, e, f, g, h, i, j, k, l, m, n, o, p, q, r, s, t, u, v, y, x, z, w)
Rasti i shqipes / Qëllimi për të cilin u mblodh Kongresi i Manastirit ishte vendosja e një alfabeti të përbashkët për shkrimin e gjuhës shqipe. Kjo do të thotë se problemi i përzgjedhjes së tipit të shkrimit ishte kapërcyer prej kohësh: do të zbatohej tipi fonematik. (S’kishte si të ndodhte ndryshe, tradita nis me Buzukun.)
Thamë më sipër se organizimi i shkrimit fonematik arrihet vetëm pasi të jenë zgjidhur paraprakisht dy kërkesa.
E para, inventarizimi i tingujve (fonemave) të gjuhës që do të shkruhet.
Në Kongres është pranuar një inventar prej 36 fonemash. Kjo ka qenë një zgjedhje mjaft e rëndësishme, por që ka kaluar si pa u vënë re nga studiuesit. Duke gjykuar gjendjen dialektore të gjuhës shqipe, mund të thuhet me siguri se ai është mbështetur në sistemin fonemor të nëndialektit të toskërishtes së veriut, që përmbledh zonat e Përmetit, Mallakastrës, Skraparit, Beratit, Myzeqesë, Pogradecit, Korçës, Devollit e Kolonjës.
Kështu, qysh me pranimin e një alfabeti të përbashkët, është bërë hapi i parë i rëndësishëm për përzgjedhjen e variantit dialektor të shqipes që do të vendosej në bazë të variantit të ardhsh&eu