Thaçi: Serbia pranon Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës-rezoluta 12 44 ka qenë dhe mbetet e “vdekur”

Kryeministri Hashim Thaçi, në një prononcim për mediat e Prishtinës, ka thënë se Serbia sot pranon pavarësinë e Kosovës. Ai është shprehur i sigurt se marrëveshja për përfaqësim rajonal do të nënshkruhet sot, derisa Rezolutën 1244 sërish e ka quajtur të vdekur.
“Me marrëveshjen e re që do të arrihet sot në Bruksel, Serbia do ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Ajo po e pranon Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, kurse Rezoluta 1244 ka qenë e vdekur dhe mbetet e vdekur”, ka thënë Thaçi për Express, sot në mëngjes.
Ndërkohë ka rifilluar rreth orës 10 të mëngjesit dita e dytë e raundit të ri të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në selinë e BE-së në Bruksel. Edhe sot shefja e delegacionit kosovar Edita Tahiri iu është shmangur gazetarëve, duke hyrë në ndërtesë jo nga dera kryesore nëpër të cilën hyjnë delegacionet, por përmes një hyrjeje tjetër. Ndërkohë, shefi i delegacionit serb, Borko Stefanoviç ka thënë se Serbia do të “bëjë çmos që të arrihet marrëveshja për bashkëpunimin rajonal”, por gjithnjë duke respektuar “Kushtetutën e Serbisë, Rezolutën 12 44 dhe interesat kombëtare serbe”.
Ai ka thënë se edhe në ditën e djeshme pala serbe ka qenë me konstruktive, por sipas tij, pala kosovare ka këmbëngulur në disa çështje të papranueshme për Serbinë.