Kuvend, mazhoranca: Opozita po minon bashkëpunimin, reformat s’do bien pre e tekave të Edi Ramës

Sulmi ndaj ushtarëve shqiptarë në Afganistan, Kuvendi nis punimet me një minutë heshtje
Berisha: Ultimatumet e Ramës, për të bllokuar reformat dhe integrimin – përgjigjen e merr në 2013-ën
Patozi: PS po i rikthehet politikës së bojkotit
Kryeminsitri Sali Berisha u shpreh sot në fjalën e tij në Kuvend se opozita kërkon me çdo kusht të bllokojë statusin dhe integrimin e vendit. Shefi i mazhorancës theksoi se lidershipi socialist njihet për mosbesueshmërinë e tij në respektimin e marrëveshjeve, me qëllimin e vetëm bllokimin e reformave dhe integrimin e vendit. “Në traditën kristalizuar pas 2008, lidershipi i PS merr përsipër të grisë cdo marrëveshje. Kjo nuk na befason. PS po bën gjithcka për të bllokuar integrimin. Nëse doni të ecim bashkarisht mirë, nëse nuk doni 2013 vjen dhe shqiptarët do t’ju japin përgjigjen e duhur. Me propozimet për Rregulloren Rama kërkon t’i reduktojë fjalën dhe minutat Kryeministrit, por kjo është shkelje e Kushtetutës së vendit. Me të tilla propozime, Rama kërkon t’i vërë kufirin te thana, por kjo nuk mund të ndodhë. Meqënëse dje kryetari i PS-së dhe sot kryetari i grupit sërish paraqiti serialin e akuzave ndonëse ne kemi bërë gjithçka për avancimin e këtyre reformave. Qëndrimi i tyre ka qënë ky: Dy muaj para se të firmosej marrëveshja këta zotërinj ose kryetari i tyre rreshtoi dhjetra kërkesa për rregulloren e parlamentit. Natyrisht duke qënë të bindur se kjo është e standarteve më të mria qëndrimi ynë ishte ky: ne pranojmë të shqyrtojmë rregulloren për të mos i përplasur derën dhe duke e adaptuar atë nen për nen me një rregullore model që është rregullorja e Parlamentit Europian. Pas refuzimit për një kohë të caktuar më së fundi Rama e pranoi këtë. Cili është qëndrimi prapa? Ishte shkelja e marrëveshjes duke kërkuar që Kryeministrit t’i kufizohet koha, dhe Kryeministri dhe ministrat të mos mund të marrin fjalën veçse në cilësinë e deputetit, që të ketë kohë të barabartë me kryetarin e minorancës. Kryetari i tyre i cili është edhe kandidati kryesor për Kryeministër në logjikën formale nuk garoi për deputet, e pengova unë zotërinë? Përkundrazi i ofrova që t’i lejonte të ishte edhe kryetar bashkie edhe si deputet në garë. Ja bëra këtë në një shenjë e vendosmëri që të mos ndodhte rast unikal në Evropë dhe Botë kur komandanti nuk dilte në krye”- u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë tha se “ky zotëri nuk pranoi të garojë e të vijë në parlament”. “Tani urdhëron grupin e vet duke i thënë, atij ia vini kufirin tek thana në platfotmë. Për të bllokuar reformën shkel marrëveshjen dhe kërkon këto”- tha ai.
Një tjetër çështje e cila ka krijuar bllokimin sipas kryeministrit janë dekretet për të cilat opozita kërkon të votohen fshehtas. “Zotëri është dekret, edhe për personat këtu votojmë fshehtas por dekreti nuk është person, dekreti është akt madhor, juridik dhe dekreti nuk është asnjëherë person. Nuk votohet personi por votohet dekreti. Nuk votohet për personin por për ligjin. Tani si të doni. Doni të ecim hajdeni. Nëse nuk doni po vjen 2013 dhe shqiptarët do japin verdiktin e tyre. Kjo Shqipëri është përgjegjësi e gjithë shqiptarëve. Nëse opozita nuk do nuk është detyrë e mazhorancës as ta mënjanojë por ta respektojë si forcë sovrane. Mos mendoni se do mund të mashtroni kaq lehtë. U ulët për reformën e rregullores, firmoset për Parlament Evropian por kërkoni ti prisni fjalën kryeministrit e të ndryshoni Kushtetutën. Atij dhe atyre që nuk bëjnë ultimatume mos u bëni kurrë ultimatume. Atij dhe atyre që nuk bëjnë presione mos u bëni kurrë presione se do dështoni në mënyrë ekzemplare”- tha më tej, kryeministri Berisha.
Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Astrit Patozi reagoi sot në lidhje me deklaratën e kreut të PS-së Edi Rama, i cili u shpreh një ditë më parë, se mazhoranca s’ka vullnet për të realizuar reformën zgjedhore. Gjatë diskutimeve në seancë plenare, Patozi u shpreh se “mazhoranca e sheh deklaratën e Ramës si një rikthim në politikën e vjetër të bojkotit dhe marrëdhënies së kushtëzuar me parlamentin”. “Në një kohë kur mazhoranca dhe opozita janë në bisedime, ai bën deklarata provokuese që politika të rikthehet në konflikt e të bllokohen bisedimet. Shqetësimi i Ramës për reformën zgjedhore është i parakohshëm dhe i nxitur nga një dëshirë e tij e brendshme. Reforma zgjedhore të cilën zoti Rama u nxit ta shpallë të falimentuar ka nevojë për mbështetje të fortë politike. Kryetari i PS në vetë të parë, por edhe figura të tjera të PS po përpiqen të minojnë bashkëpunimin duke dhënë mesazhin më të keq në grupet e punës për reformat. Tradita jonë ka qenë e tillë që në asnjë rast komisionet për reformën nuk janë ngutur e ka patur gjithnjë kohë shtesë të dhënë nga Kuvendi”- u shpreh demokrati, Patozi.
Ai vuri në dukje se “mazhoranca nuk do të plotësojë tekat e opozitës”. Sipas tij, një proces konsensual nuk mund të bëhet nën diktatin e ndonjërës palë. “Nuk e tërheq dot zoti Rama mazhorancën zvarrë në hanet e tij politike.
Ruçi kënaqet me kërcënimet e Ramës, konfirmohen si ideatorë të ultimatumeve për rikthimin e bojkotit parlamentar
Sic duket gjithcka është e organizuar dhe PS po mendon seriozisht bojkotin e Kuvendit dhe kushtëzimin e raporteve me institucionet. Paralajmërimet për rikthim të bojkotit, bëhen në një moment kur emergjenca kohore nuk fal zvarritjen e reformave dhe tekat politike të lidershipit socialist, i cili si gjithmonë progresin e vendit e faturon si regres të aksioneve të tij politike. Pa kujtuar se bojkotet, kushtëzimi i raporteve me institucionet dhe dhuna ndaj institucioneve, i kanë sjellë dështime të panumërta, duke e nxjerrë në pension politik jo më larg se një vit më parë (8 maj 2011). Kryetari i grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi deklaroi sot në Kuvend se shqetësimi i opozitës është se, mazhoranca po cilëson si teka të PS-së rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për reformën zgjedhore. “Ajo që kemi trajtuar në konferencën e kryetarëve është se mungon vullneti politik për reformën zgjedhore, jo për të plotësuar tekat e opozitës por rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Refoma nuk ka ngecur nga tekat e opozitës, por ka ngecur në 5 pika që nuk janë kërkesa të opozitës. Listat e zgjedhësve i kërkon raporti, kartat e identitetit, numërimin, KQZ-në dhe çështjen e Kolegjit Zgjedhor i kërkon raporti i OSBE/OPDIHR-it”- deklaroi Ruçi.
Sipas Ruçit, opozita ka bërë detyrën e saj dhe ka përmbushur detyrimet për ato që është rënë dakord në marrëveshjen me mazhorancën. “Ato reforma që para pak kohësh ne kemi nënshkruar bashkarisht për një reformë zgjedhore, për rregulloren e Kuvendit dhe për ligjet me shumicë të cilësuar. Opozita ka bërë detyrën e saj dhe brenda marsit ne do të japim kontributin dhe votën tonë”- u shpreh socialisti Ruçi. Kuptohet se qëndrime të tilla, paraprakisht të unifikuara mes drejtuesve të PS, kanë për qëllim tensionimin e situatës politike, pas kërcënimeve të këtij fillim viti me tërheqjen e ligjeve me 3/5, se opozita s’do jepte konsensusin. Në prag të muajit Mars, vendimtar për progresin e Shqipërisë drejt integrimit në BE, kur Brukseli pritet të japë një vlerësim konkret lidhur me kërkesën e Shqipërisë për ‘statusin kandidat’, Edi Rama duke mos qenë në gjendje të bllokojë ligjet me shumicë të cilësuar (kjo për shkak të presionit ndërkombëtar), kushtëzon reformën zgjedhore, një tjetër rekomandim si pjesë e 12 prioriteteve të Bashkimit Evropian.