Thaçi: Serbia sna prek dot

“Ëndrrat e Beogradit për të prekur sovranitetin e Kosovës kanë vdekur më 17 shkurt të këtij viti, kur Kosova shpalli pavarësinë”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Kryeministri i Kosovës ka ritheksuar vendosmërinë e institucioneve që të mos lëshojnë pe në pranimin e marrëveshjeve që shkelin sovranitetin dhe kushtetutshmërinë e Kosovës. Duke komentuar rrjedhat e negociatave për dokument-marrëveshjen, apo planin gjashtëpikësh ndërmjet Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Beogradit, që ka të bëjë me shtrirjen e EULEX-it, Thaçi tha se Prishtina nuk do të pranojë elemente që shkelin sovranitetin e Kosovës. Duke e rikujtuar Beogradin se Kosova është e pavarur, Thaçi e përjashtoi çdo mundësi që plani gjashtëpikësh për EULEX-in në fund të imponohet nga bashkësia ndërkombëtare. “Për Prishtinën nuk do të ketë imponime, ne jemi në një proces të hapur. Beogradi mund të prezantojë atë që mund të prezantojë, por ëndrrat e Beogradit për të prekur sovranitetin e Kosovës kanë vdekur më 17 shkurt të vitit 2008”, tha Thaçi. Kryeministri Thaçi ka konfirmuar se me gjithë kundërshtimin e palës kosovare, bisedimet për planin gjashtëpikësh po vazhdojnë me përfaqësuesit ndërkombëtarë, por, sipas tij, nuk do të ketë marrëveshje në dëm të Kushtetutës dhe tërësisë territoriale të Kosovës. “Ne jemi për marrëveshje, jemi për dialog, jemi për fqinjësi, por duhet të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, duhet të respektohen vendimet, të cilat i ka marrë Parlamenti i Kosovës, të cilat janë marrë bashkërisht me ndërkombëtarët, dhe Prishtina do të jetë e arsyeshme në veprimet e veta. Por Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik”, deklaroi Thaçi. Ndërkohë, lideri i lëvizjes Vetëvendosje”, Albin Kurti, ka shprehur dyshimet se presidenti dhe kryeministri i Kosovës, sipas tij, në bazë të përvojës së deritashme në politikat e tyre, në fund do ta pranojnë planin gjashtëpikësh. Ai tha se Prishtinës as që i është dashur të negociojë për planet e Beogradit, pasi plani gjashtëpikësh, sipas tij, është një plan që i mundëson Serbisë t’i ketë nën kontroll të plotë vendbanimet serbe në Kosovë, kurse Kosova të mos mund të shtrijë pushtetin e vet në këto zona. “Ban Ki Muni është i interesuar që për secilin vendbanim me shumicë serbe në Kosovë, ta përdorë modelin e veriut të Kosovës. Kundërshtimi i marrëveshjes UNMIK-Serbi nga Sejdiu e Thaçi thjesht është bërë për ta kontrabanduar procesin e negociatave të reja ndërmjet Kosovës e Serbisë”, - tha ai. Sipas Kurtit, nuk mjafton të thuash që “nuk e pranoj marrëveshjen UNMIK- Serbi, apo BE-Serbi”, por po sipas tij, “duhet ta kesh edhe planin tënd, i cili e bën vendin një dhe të pandarë, i cili Kosovën e bën me sovranitet e integritet territorial, dhe kësisoj mundëson edhe zhvillimin ekonomik”. Sidoqoftë, bisedimet ndërmjet Prishtinës, vendeve të Quint-it dhe Bashkimit Evropian janë në vazhdim e sipër. Dje, presidenti Fatmir Sejdiu i ka njoftuar partitë politike për një pako vërejtjesh që Prishtina do t’ia adresojë planit gjashtëpikësh, dhe më pas t’ua prezantojë ato përfaqësuesve ndërkombëtarë. Por ai nuk i ka bërë publike këto vërejtje. Nga bashkësia ndërkombëtare, në anën tjetër po bëhet një lloj presioni diplomatik që të arrihet një marrëveshje deri në fund të javës, përkatësisht para seancës së Këshillit të Sigurimit, kur do të shqyrtohet shtrirja e EULEX-it.