E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wall Street nuk do tia dijë

Bursianët e “Wall Street”-it e shohin me skepticizëm takimin e vendeve të grupit G-20. Sikurse raportoi “Deutsche Welle”, “rregullimi është i mirë dhe shumë rregullim sjell probleme”, është kredoja e përgjithshme në “Wall Street”, lidhur me ndërhyrjet shtetërore në formë aksionesh shpëtimi, si ato të javëve të fundit. Kriza globale financiare bëri të falimentojnë bankat dhe tronditi besimin e aksionerëve në të gjithë botën. Tani, disa politikanë kërkojnë reformimin e sistemit financiar, madje një rend të ri botëror për financat, dhe për këtë do të mbahet këtë fundjavë samiti i parë ndërkombëtar për financat. Bursianët e “Wall Street”-it (Uoll Stritit) e shohin me skepticizëm takimin e vendeve të grupit G-20. Frika ndaj “shumë rregullimeve” po përhapet në radhët e tyre dhe ata nuk presin rezultate të efektshme nga samiti. Ekonomisti i shumëcituar, Peter Cardilio, menjëherë pas fitores në zgjedhje të Barak Obamës dhe planit të tij për më shumë ndërhyrje shtetërore në tregjet financiare në të ardhmen, u shpreh: “Rregullimi është i mirë, shumë rregullim sjell probleme”. Kjo është kredoja e përgjithshme në “Uoll Strit” kur është fjala për ndërhyrje shtetërore në formë aksionesh shpëtimi, si ato që bota pati rastin të shohë javët e fundit. Në fundjavë do të mbahet samiti i parë botëror për financat, për të cilin presidenti i SHBA-ve, Xhorxh Bush, ka ftuar në Uashington, ndërsa “Uoll Striti” reagon me skepticizëm. Por ndërhyrja shtetërore ka kohë që ka ndodhur në tregjet e lira në SHBA. Koncerni ndërkombëtar i sigurimeve AIG, paketa e shpëtimit të të cilit dy ditë më parë u rrit në 150 miliardë dollarë, paketa e shpëtimit prej 700 miliardë dollarësh për sektorin bankar apo paketa e asistencës për koncernin e rrezikuar të automobilave “General Motors”, por shteti ndihmon ku ka mundësi. Edhe në qarqet konservatore, zërave paralajmërues ndaj përhapjes së socializmit financiar “Made in USA” nuk iu vihet më veshi si më parë. Por ata që tradicionalisht shqetësohen në rast ndërhyrjesh shtetërore në tregje, vazhdojnë të jenë tregtarët e “Uoll Stritit”, të cilët për këtë arsye nuk e vlerësojnë kuptimplotë samitin ndërkombëtar për financat. David Resler, kryeekonomist pranë “Nomura Securities” në Nju Jork sqaron: “Nuk jam i sigurt nëse një konferencë e tillë është një masë e nevojshme, pasi kështu mund të zgjohen shpresa jorealiste. Ne nuk do të shohim rezultate të rëndësishme”. 20 vende do të ulen rreth tryezës së rrumbullakët, ku do të diskutohet për tema të rëndësishme: zhvendosja e pushteteve në botë, paratë dhe së fundi edhe për parime ideologjike. Presidenti francez Nikola Sarkozi kërkon një moralizim të tregjeve, një kod sjelljeje për menaxherët e bankave. Presidenti amerikan Xhorxh Bush synon të ruajë demokracinë, me të edhe lirinë sa më të gjerë të tregjeve. Për ekonomistin Resler këto liri prej kohësh nuk ekzistojnë më. Ndërhyrja masive shtetërore e muajve të fundit e ka shkatërruar këtë koncept. Dhe tani synohet të përfshihen dhe vendet e mëdha në ekspansion, si Brazili, Kina apo India, ku aventura kapitalizëm sapo ka filluar. Një rregullim i tregjeve atje, në varësi të këndvështrimit, mund të kishte si pasojë ose kufizimin e parakohshëm të inovacionit ekonomik ose një rritje në kufij të kontrolluar. Ekonomisti Lakshman Achuthan nga instituti për studime të ciklit ekonomik, shpjegon: “Besoj se vendeve në ekspansion mund t’iu krijohet përshtypja, se më shumë rregullim do të ndikonte negativisht në rritjen e tyre ekonomike. Këto vende kanë nevojë për rritje të fortë për të përmbushur objektivat e tyre”.

Ka nga ata që besojnë në paraqitjen e një versioni të ri të Bretën Uds (Bretton Woods). Në Bretën Uds, një vend në shtetin federal Nju Hempshir (New Hampshire), në vitin 1944 u zhvillua një konferencë e Kombeve të Bashkuara për çështje ndërkombëtare të financave dhe parasë. Në këtë konferencë morën atëherë pjesë 44 shtete, të cilët vendosën ngritjen e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. U vendos edhe futja e një sistemi kursesh të fiksuara këmbimi me dollarin amerikan, si valutë kryesore orientuese. Sistemi i Bretën Udsit përfundoi në vitin 1973. Një rilindje të tij, profesori i financave, Terrence Martell nga “Baruch College” në Nju Jork e vlerëson të pamundur: “Situata historike atëherë ishte unike dhe sot ajo nuk paraqitet. “Në konferencë u diskutuan atëherë dy plane për sistemin valutor ndërkombëtar: propozimi i amerikanit Harry Dexter dhe projekti i britanikut John Maynard Keynes. Dallimet mes dy propozime shpjegohen në kontekstin historik nga buronin. Britanikët për shkak të pasojave të luftën gjendeshin në një pozicion të theksuar debitori dhe deficit të fortë tregtar. Veç kësaj, arritja e punësimit të plotë ishte një nga objektivat parësorë të politikës së tyre ekonomike, së cilës i përgjigjeshin mundësitë e ofruara nga Keynes-it për politikën e punësimit. Për amerikanët si komb kreditor, vlente e kundërta. Çfarë do të sjellë pra konferenca e ardhshme për financat? “Unë nuk pres gjë tjetër, veçse fitimit të vetëdijes se kemi një problem të përbashkët”, thotë profesor Martell-i. Sipas tij, zgjidhja është më shumë transparencë, më shumë siguri që ka në dispozicion kapital të mjaftueshëm. Martell e di se është e vështirë është të njësohet fluksi i informacioneve mes kombeve, por kjo, thotë ai, do të ndihmonte në zgjidhjen e problemit të kredive të rrezikuara dhe humbjes së besimit në tregje. Pritjet ndaj samitit janë pra të pakta në vendin mikpritës, SHBA, dhe veçanërisht në “Uoll Strit”, vendin ku nisi tragjedia. Për këtë arsye edhe zhgënjimi nuk do të jetë shumë i madh, nëse në fund nuk do të prezantohen rezultate.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›