E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi-Stoltenberg, marrëveshje bashkëpunimi mes dy shteteve

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Norvegji, është pritur nga kryeministri i Norvegjisë, Jens Stoltenberg.

Krerët e të dy vendeve kanë diskutuar për thellimin e marrëdhënieve bilateral në kuadër të cilit nënshkruan dhe një marrëveshje ndërshtetërore të bashkëpunimit. Në njoftimin përshtyp të Kryeministrisë thuhet se në takimin me kryeministrin Thaçi, kryeministri i Norvegjisë, Stoltenberg theksoi përkrahjen e Qeverisë norvegjeze për konsolidimin dhe forcimin e shtetit demokratik të Kosovës dhe u shpreh për vazhdimin e mbështetjes së Norvegjisë për Kosovën në kuadër të procesit të njohjeve të reja për shtetin e Kosovës, si dhe shprehu mbështetjen për perspektivën euroatlantike të Kosovës.
 

Po ashtu kryeministri norvegjez ofroi mbështetjen e shtetit të tij për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.
Ndërkaq, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi falënderoi homologun e tij për mbështetjen e vazhdueshme që Norvegjia i ka dhënë Kosovës, me theks të veçantë me njohjen e shpejtë të pavarësisë, dhe në rritjen e numrit të njohjeve të reja për shtetin e Kosovës.
 

Thaçi shprehu nevojën e thellimit të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Norvegjisë, për shkëmbimin e përvojave në fusha të ndryshme, si në fushën ekonomike, të arsimit, të drejtësisë dhe në fushat tjera me interes të përbashkët.
 

Duke u fokusuar në përkushtimet për zbatimin e vizionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi ftoi investitorët norvegjez që të investojnë në Republikën e Kosovës, duke theksuar se Kosova si shteti i ri ofron mundësi të mëdha për investime ekonomike ndërkombëtare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›