Thaçi: Të dielën ndodhi një mrekulli
Kryeministri Hashim Thaçi e ka vlerësuar si historik procesin zgjedhor në Kosovë, duke thënë se, "Kosova të dielën e bëri një mrekulli të pritur". Para kabinetit qeveritar, dje Kryeministri Thaçi ka thënë se ky proces zgjedhor është sukses historik që shënuam si vend, si shtet, si shoqëri me organizimin e mrekullueshëm të zgjedhjeve të para të lira në Kosovën e pavarur demokratike e shumë etnike. "Është vlerësim dhe konkludim ndërkombëtar se në Kosovë po ndërtohet dhe po lulëzon demokracia, është mesazhi më i mirë i mundshëm për pranimin e suksesit dhe përshëndetjen e suksesit në Republikën e Kosovës", tha Thaçi. "Është një njohje e re për sukseset e mëdha për shtetin e ri të Kosovës dhe shoqërinë kosovare, për institucionet dhe liderët kosovarë. Prandaj, më lejoni t‘ju uroj fitoren të gjithëve. Edhe juve që jeni këtu, edhe gjithë spektrit politik, institucioneve të Kosovës", u shpreh ai.