Topi uron Sejdiun për zgjedhjet model
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, i ka dërguar një mesazh urimi homologut të tij të Kosovës, Fatmir Sejdiu për organizimin dhe zhvillimin e suksesshëm të zgjedhjeve vendore të 15 nëntorit në Kosovë. Në mesazhin e tij, Presidentit Topi vlerëson se populli i Kosovës, të gjitha subjektet politike pjesëmarrëse dhe strukturat organizuese të zgjedhjeve dëshmuan "pjekuri dhe përgjegjësi qytetare e politike" dhe treguan se janë të aftë të ndërtojnë një shoqëri të barabartë dhe të lirë për shtetasit e saj. "Pjesëmarrja e lartë dhe gjithëpërfshirja etnike në këto votime janë gur prove se proceset e rëndësishme të integrimit, të kohezionit dhe të harmonisë ndëretnike në shoqërinë e Kosovës kanë hedhur hapa konkretë, të rëndësishëm dhe të pakthyeshëm", theksohet në mesazhin e Presidentit të Shqipërisë, i cili shpreh bindjen se "nëpërmjet këtyre zgjedhjeve, Kosova provoi rëndësinë e saj si faktor stabiliteti e sigurie në rajon dhe garantoi partnerët ndërkombëtarë se është e vendosur në integrimin e saj euroatlantik".