Thaçi: Të vendosur në luftën kundër korrupsionit
Prishtinë - Pjesëmarrës në tryezën e rrumbullakët me temën: ”Inicimi i hartimit të strategjisë kundër krimit të organizuar 2009 - 2011”, ai u shpreh se “përkushtimi ynë për të luftuar fenomenet negative, si një ndër parakushtet për këtë të ardhme, është po aq i palëkundur. Për këtë qëllim, strategjia jonë është fokusuar në dy drejtime: E para, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës sonë moderne, ne kemi forcuar dhe do të forcojmë edhe më tej bazën ligjore anti-korrupsion. E dyta, ne duhet t’i implementojmë këto masa ligjore, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Me vendosjen e EULEX-it në tërë territorin e Kosovës, ne llogarisim në një mbështetës të fuqishëm në këtë luftë. Shtrirja e EULEX-it, si mision i sundimit të ligjit, në tërë territorin e vendit, duke respektuar dhe forcuar sovranitetin e Kosovës, do të na ndihmojë në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe ekonomisë joformale”. Sipas tij, “një Kosovë e bashkuar në këtë qëllim dhe e ndihmuar dhe e këshilluar nga partnerët ndërkombëtarë do të jetë në gjendje t’u bëjë ballë fenomeneve të tilla negative. Ne nuk do të lejojmë që asnjë pjesë e territorit të Republikës së Kosovës të shndërrohet në oazë të korrupsionit, krimit të organizuar dhe kontrabandës”.