E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Vazhdojmë të punojmë fuqishëm

Nga Express më 25 maj 2011 në ora 17:43

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka vlerësuar si të suksesshme vizitën e para disa ditëve të presidentit të Komisionit Evropian, Jose Barroso dhe komisionerit për Zgjerim Stefan Fyle, duke e cilësuar këtë si një mesazh të qartë për të ardhmen e sigurt të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ai komente i bëri të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë, me ç’rast falënderoi Barroson dhe Fylen për vizitën e tyre, ndërkaq po ashtu ka falënderuar edhe shefen e diplomacisë evropiane, baroneshën Catherine Ashton për vizitën që do ta zhvillojë të premten në Prishtinë.

“Siç e dini javën e kaluar Kosovën e vizituan presidenti Barroso dhe zoti Fyle. Ka qenë një fokusim i Brukselit për Kosovën dhe rajonin për të përcjell nga afër me vizitat e tyre shtetin e ri të Kosovës me perspektivë evropiane. Ka qenë vizitë shumë e suksesshme, me mesazhe të qarta për të ardhmen e sigurt të Kosovës në strukturat e Bashkimit Evropian dhe strukturat tjera euroatlantike, që të hapet sa më shpejt procesi për dialogun për liberalizimin e vizave dhe marrëdhënie tregtare me BE-në. Ne do të vazhdojmë të punojmë fuqishëm për realizimin apo implementimin e të gjitha kritereve demokratike, të domosdoshme për këto procese të rëndësishme për Kosovën”, ka thënë Thaçi, siç transmeton Kosovapress.

Ai ka thënë se në kuadër të agjendës evropiane për Kosovën dhe rajonin, dhe në kuadër të koordinimit të politikave Prishtinë-Bruksel, do të jetë edhe vizita e baroneshës Ashton të premten.

Në këtë vizitë, sipas Thaçit, do të fuqizohet angazhimi i Qeverisë dhe institucioneve tjera të Kosovës për të ardhmen më të shpejtë evropiane të Kosovës.

Kreu i ekzekutivit të vendit ka theksuar se edhe në procesin e dialogut me Serbinë, Kosova do të jetë e përgjegjshme dhe e përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve teknike.

“Në të njëjtën kohë Qeveria e Kosovës është duke përcjellë nga afër pjesëmarrjen e saj të përgjegjshme me dialogun për normalizimin dhe ndërtimin e marrëdhënieve dhe ndërtimin institucional mes Kosovës dhe Serbisë, që si parakusht për të ardhmen evropiane të dy vendeve dhe rajonit është normalizimi i marrëdhënieve, por edhe fqinjësia e mirë. Pra, në këtë drejtim në këtë proces të dialogut për çështje teknike Kosova do të jetë e përgjegjshme dhe natyrisht gjithmonë e përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve teknike sipas propozimeve dhe modeleve evropiane, që forcojnë shtetin dhe sovranitetin tonë gjithashtu”, është shprehur Thaçi.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar Projektligjin për nismat legjislative, e cila përcakton rregullat dhe procedurat për nismat legjislative nga autoritetet relevante, duke përfshirë presidenten, deputetët, qeverinë dhe më së paku 10 mijë qytetarë me të drejtë vote.

Po ashtu, Qeveria ka shtuar në Strategjinë legjislative për vitin 2011, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mërgatën e Kosovës, por ndërkohë ka hequr nga kjo strategji, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për letërnjoftimet.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe propozim-vendimin për fillimin e procedurës për zgjedhjen e një anëtari në Bordin e Komisionit për Pavarur për Miniera dhe Minerale, propozim-vendimin preliminar për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat ndodhen në zonën kadastrale të Hajvalisë për qëllime të ndërtimit të Universitetit Amerikan në Kosovë dhe propozim-vendimi për emërimin e kryeinspektorit të punës në trupën Ekzekutive të Inspektoratit të Punës në Kosovë.

Po ashtu, anëtarët e kabinetit qeveritar kanë miratuar edhe propozim-vendimin për dhënien e opinionit për Kuvendin e Kosovës lidhur me emërimin e anëtarit dhe kryesuesit në Bordin e Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, duke propozuar dy kandidatë, Ejup Qerimin dhe Ymer Havollin për këtë post.

Ndërkohë, me propozim të ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, kabineti qeveritar ka ndarë një shumë prej 20 mijë eurosh si ndihmë shtetit të Santa Luçias, i cili është goditur nga një katastrofë natyrore.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›