E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbahet ushtrimi fushor 'Luani i shkathët 4'

Nga Express më 25 maj 2011 në ora 19:00

FSK-ja mbizotëron të gjitha procedurat standarde operacionale në zbatimin e detyrave që kërkohen dhe është e gatshme që të marrë mbi vete edhe detyra më të ndërlikuara, ka thënë ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku.

Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) në Ferizaj, është zhvilluar ushtrimi fushor i vendkomandës i koduar “Luani i shkathët 4”.

Këtë ushtrim nga afër e kanë përcjellë komandanti i KFOR-it, gjeneral Erhard Buhler, ministri i FSK-së, Agim Çeku, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Sylejman Selimi, si dhe anëtarë nga komisioni parlamentar për siguri dhe mbikëqyrës të FSK-së, atashe ushtarakë, oficerë të lartë të FSK-së dhe KFOR-it.

Ministri Çeku e ka vlerësuar me tone të larta këtë ushtrim, duke thënë se këtu u zhvillua një demonstrimi shumë i mirë i FSK-së.

“FSK-ja në këtë ushtrim ka aplikuar metodikat më të avancuara në planifikimin, organizimin, ekzekutimin dhe analizën pas veprimit të ushtrimeve fushore. FSK-ja mbizotëron të gjitha procedurat standarde operacionale në zbatimin e detyrave që kërkohen dhe është e gatshme që të marrë mbi vete edhe detyra më të ndërlikuara sesa ato që janë duke u trajtuar në këtë ushtrim të vendkomandës”, është shprehur ministri Çeku.

Komandanti i KFOR-it, gjeneral Erhard Buhler, ka thënë se ka parë përparime shumë të mëdha të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sipas tij FSK-ja është e gatshme për arritur synimet dhe objektivat dhe për të qenë gjithmonë në shërbim të qytetarit, në çfarëdo detyre që kërkohet për sigurinë dhe jetën e tyre, por edhe për pronën e tyre në përgjithësi.

“Ky ushtrim ka qenë ushtrimi më i mirë të cilin e kam parë ndonjëherë dhe mund të them se FSK-ja në këtë drejtim për ushtron me të gjitha fuqitë e veta, për të arritur kapacitetet e plota të tyre”, ka thënë ai.

Qëllimi i ushtrimit “Luani i shkathët 4” është trajnimi i shtabeve, komandantëve dhe oficerëve në planifikim, organizim dhe realizim të stërvitjeve për të përmbushur misionin dhe detyrat, si edhe të zhvillojë aftësitë e komandimit, koordinimit gjatë stërvitjes për situatat e reagimit emergjent në situata të krizave dhe katastrofave elementare.

Ushtrimi është mbajtur në Prishtinë, Ferizaj dhe në Istog. Në realizimin e këtij ushtrimi po marrin pjesë të gjitha njësitet e Komandës së Forcës Tokësore (KFT) të FSK-së. U bë e ditur se gjatë muaji korrik Forca e Sigurisë së Kosovës do të ketë edhe një ushtrim të përbashkët me KFOR-in.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›