E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaci: Veriu mbetet në duart tona. Nuk ka kthim pas

PRISHTINE-Pas përfundimit të pushimeve verore, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancën e parë plenare të sesionit vjeshtor, ku deputetët janë njoftuar edhe një herë me vendimet që ka marr Qeveria e vendit për aplikimin e masave të reciprocitetit dhe ndërhyrjen e Policisë së Kosovës në Veri të vendit.

Me këtë rast Kryeministri, Hashim Thaçi ka bërë të qartë se pas datës 25 korrik situata në Veri të vendit ka ndryshuar, dhe është hapur një kapitull i ri për vendosjen e rendit dhe ligjit në atë pjesë të vendit.

Kryeministri Thaçi qysh në fillim të seancës ka marr fjalën duke folur për vendimet e Qeverisë të datës 20 korrik, për fillimin e aplikimit të masave të reciprocitetit dhe operacionit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës më 25 korrik.

Ai theksoi se pas operacionit u krijuan kushtet që Policia Kufitare dhe doganierët e Republikës së Kosovës të vendosen në pikën 1 dhe 31. Kryeministri shtoi se më 27 korrik një grup i organizuar kriminal i udhëhequr nga lider të strukturave kriminale serbe dhe të orientuara nga Beogradi kanë sulmuar pikën 1 e me pas atë 31.

Sipas tij djegia e pikës 1 është bërë nga njerëzit me maska, por ai tha se gjithçka ishte e qartë, “pas kësaj djegie qëndron politika e shekullit të kaluar, që Serbia ende vazhdon ta zbatojë në raport me Kosovën”.

Shefi Qeverisë edhe njëherë ka bërë të qartë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, as de-facto dhe as de-jure.

Për më tepër ai ka shtuar se EULEX ka qenë i informuar për gjendjen e patolerueshme në veri prej 3 vitesh e gjysëm ndërsa ka shtuar se gjithë faktorët ndërkombëtar kanë qenë të informuar orej 12 vjetësh për gjendjen e patolerueshme në veri.

“EULEX ka hezituar të jetë mbështetës i vendimit të institucioneve të Republikës së Kosovës për vënien e rendit dhe ligjit. Por, pas vendimi dhe veprimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, EULEX është deklaruar se dëshiron dhe është i gatshëm të punojë në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke e dëshmuar bashkëpunimin në veprime të përbashkëta të institucioneve të Kosovës dhe EULEX’it”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa duke folur për marrëveshjen e KFOR’it dhe Qeverisë së Kosovës, ka thënë se ekzekutivi i vendit mbështet edhe sot këtë marrëveshje, me qëllim të normalizohet gjendja atje dhe të zhbllokohen rrugët. Por, sipas tij fatkeqësisht marrëveshja mes Qeverisë dhe KFOR’it nuk është respektuar në tërësi dhe ka barrikada që nuk janë hequr nga rrugët.

Ai ka shtuar se nuk do të ketë kthim në gjendjen e para 25 korrikut, kjo është konfirmuar tanimë edhe nga Brukseli, edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet zyrtarëve të lartë që vizituan Republikën e Kosovës javëve të fundit.

“Nga 25 korriku Kosova është ndryshe, është hapur një kapitull i ri i sovranitetit të ri të Republikës së Kosovës dhe më lejoni të përsëris se në asnjë rrethanë nuk do të ketë kthim mbrapa”, ka thënë ai.

Përderisa do të vazhdohet dialogu për çështje praktike me Serbinë, sipas të parit të Qeverisë, kjo kurrsesi nuk nënkupton që Serbisë do t’i jepet e drejta vetos për vendosjen e rendit dhe ligjit në Kosovë. Republika e Kosovës në raport me Serbinë është palë e barabarta dhe bisedojnë si dy shtete ta pavarura, rrugët të cilat shpien drejt NATO’s dhe BE’së.

Ai premtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe organet që janë përgjegjëse për rend dhe ligj, do të jetë e pa kompromis dhe me çdo çmim do të sjell para drejtësisë përgjegjësit për vrasjen e policit dhe heroit të Kosovës, Enver Zyberaj.

Madje ai ka dhënë edhe një mesazh për njerëzit që kanë bërë krime në të pjesë, duke thënë se shumë shpejt do të ulen në karrigen e të akuzuarve.

“Unë për vrasësit dhe strukturat kriminale, nga Parlamenti i Kosovës kam një mesazh të qartë, se Qeveria e Republikës së Kosovës punon me këmbëngulje që të integrojë komunitetin serb në jetën e re demokratike, në një proces elektoral demokratik, ku qytetarët atje do të kenë mundësi të zgjedhin përfaqësuesit e tyre lokalë dhe qendrorë, që të krijohen kushtet për të investuar. Pra mesazhi im për këta kriminel është, se nuk është e largët dita kur do të ulen në karrigen e të akuzuarve”, ka thënë shefi i qeverisë.

(d.b/Express/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›