Thaçi: Zgjedhjet serbe do të dështojnë

Kështu ka deklaruar Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë inspektimit të punimeve në aeroportin e Prishtinës, “Adem Jashari”.
Ai ka thënë se do të përdoret e gjithë forca kushtetuese dhe ligjore që ta parandalojë një gjë të tillë. Sipas tij, zgjedhjet që i ka paralajmëruar Serbia për t’i mbajtur në Kosovë, do të dështojnë.
“Pretendimi i Serbisë për të organizuar zgjedhje në Republikën e Kosovës, zgjedhje lokale, do të dështojë, sepse Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur që një gjë të tillë të mos e lejojë dhe do të përdorim të gjithë forcën kushtetuese dhe ligjore që diçka e tillë të mos ndodh. Natyrisht, duke u nisur nga dokumenti i Presidenti Ahtisaari, duke e respektuar ligjet dhe kushtetutën e Kosovës për të drejtën e dyshtetësisë së qytetarëve që jetojnë së Kosovë, unë edhe sot jam takuar me shefin e OSBE-së, Zanieri. Do të lehtësohet pjesëmarrja në votim, por jo organizimit të zgjedhjeve të lira, për zgjedhjet parlamentare, do të thotë, participimin në votim dhe pastaj ato kuti, nga një organizatë ndërkombëtare të bartën në Serbi, por jo hapje të qendrave të votimit nga Serbia në Kosovë, por qendra mobile të OSBE-së, nëse ndonjë qytetar dëshiron të marrë pjesë në votim. Ky është obligim kushtetues dhe ligjor i yni që del edhe nga dokumenti i Presidentit Ahtisaari për të drejtën e dyshtetësisë.... Me të gjithë forcën kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë ai, siç transmeton Kosovapress.
Thaçi takoi Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier
Kryeministri Hashim Thaçi sot takoi Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së z. Lamberto Zannier .
Temë kryesore e këtij takimi ishte gjetja e modaliteteve adekuate për lehtësimin e procesit zgjedhor të qytetarëve të Kosovës të komunitetit serb për votimin e tyre në zgjedhjet parlamentare të Serbisë të parapara të mbahen në muajin maj.
Në këtë kontekst, kryeministri Thaçi theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës do ta respektojnë në tërësi të drejtën e garantuar kushtetuese të qytetarëve të Kosovës më dyshtetësi, për të votuar në zgjedhjet parlamentare.
"Mirëpo duke pasur parasysh faktin se Serbia ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës dhe për rrjedhojë nuk ka ambasadën e saj në Kosovë, atëherë është e domosdoshme që kjo e drejtë të realizohet përmes një organizate ndërkombëtare, konkretisht OSBE-së", theksoi kryeministri Thaçi.
Ndërsa sa i përket tendencave për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Republikën e Kosovës, kryeministri Thaçi ritheksoi edhe një herë se një gjë e tillë nuk do të tolerohet në asnjë mënyrë sepse është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe gjithashtu edhe Rezolutën 1244.
Nga ana e tij, Zannier theksoi se OSBE-ja është duke e marrë seriozisht në konsideratë kërkesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të lehtësuar organizimin e votimit për qytetarët e Kosovës të komunitetit serb me dyshtetësi në zgjedhjet parlamentare të Serbisë dhe se një vendim përfundimtar lidhur më këtë çështje pritet të merret deri kah fundi i kësaj jave.