Thaçi dhe Nikoliç, takimi i pritur në Nju Jork

Zyrtarët e Bashkimit Europian kanë intensifikuar përpjekjet për të rifilluar bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit. Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian ka paralajmëruar takime me përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë në margjinat të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ashton ka thënë se do të organizojë një takim me Thaçin dhe Nikoliçin, por nuk dihet nëse takimi do të jetë i përbashkët.
Zëdhënësja e Baroneshës Ashton, Maja Kocijancic ka thënë të mërkurën për mediet serbe se temë e diskutimit do të jetë vazhdimi i dialogut mes të dyja shteteve.
“Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton do të bisedojë me Presidentin e Serbisë dhe me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi për vazhdimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork”, ka thënë Kocijancic.
Punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, fillojnë më 18 shtator.