E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi fton Vetëvendosjen për debat në Kuvend

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka ftuar Lëvizjen Vetëvendosje për një debat në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka përsëritur se rrugët nuk janë vendi i duhur për të zgjidhur problemet.

“Unë e ftoj edhe Lëvizjen Vetëvendosje që të vijë në Parlament dhe aty të bashkëbisedojmë dhe të zhvillojmë debatin për dilemat dhe dallimet që mund t’i ketë spektri politik kosovar. Dilemat dhe dallimet zgjidhen vetëm në institucione dhe e ftoj Lëvizjen Vetëvendosje që të mos e bartë politikën në rrugë”, është shprehur Thaçi, siç transmeton REL.

Pretendimet e Vetëvendosjes që përmes protestave në rrugë të bllokojë qarkullimin e mallrave nga Serbia për në Kosovë, nga kryeministri Hashim Thaçi shihen të parealizueshme.

Kryeministri ka rikujtuar se Kosova tashmë ka arritur marrëveshje me Serbinë për këtë çështje dhe është zotuar se marrëveshjet ndërkombëtare, si edhe Kushtetuta dhe ligji do të jenë çështje të panegociueshme.

“Ne të gjithë duhet ta dimë se nuk mund të bëhet kompromis me ligjin, Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Debati politik nuk nënkupton debat për Kushtetutën, ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare”, ka theksuar Thaçi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›