Folni në Parlament
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të vazhdojë debatin për zhvillimet e fundit në Kosovë ta bëjë në Parlamentin e Kosovës.
“Ftoj edhe Lëvizjen Vetëvendosje që të vijë në Parlament dhe aty të bashkëbisedojmë, të zhvillojmë debatin për dilemat dhe dallimet që mund t’i ketë për spektrin qeveritar”, ka thënë Thaçi.
Pavarësisht kësaj, ai ka thënë se debati nuk do të ndikojë në ndryshimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Debati politik nuk nënkupton kompromis për Kushtetutën, ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare”, ka theksuar Thaçi.
Ai ka porositur Vetëvendosjen që të mos bëjë politikë në rrugë, por në institucionet shtetërore.
Lëvizja Vetëvendosje kishte paralajmëruar protestë paqësore, mirëpo ajo e 14 janarit, kur liderët dhe aktivistët e VV’së kishin dalë për të bllokuar hyrjen e mallrave serbe në pikëkalimet kufitare në Merdarë dhe tek Dheu i Bardhë, nuk doli të jetë ashtu. Ajo u shoqërua me dhunë, për përdorimin e së cilës Vetëvendosje akuzoi Policinë e Kosovës.
E, këtë Kryeministri Thaçi e ka quajtur të papranueshme.
“Është e turpshme analogjia që po i bëhet Policisë së Kosovës për institucionet dhe Policinë e Kosovës, sepse kanë dhënë kontribut qoftë në Kosovë, qoftë në diasporë dhe këtë liri të shtetit duhet ta ruajmë, ta kultivojmë, ta plotësojmë, por assesi ta dëmtojmë”, ka thënë Thaçi.
Protesta ndërkaq ishte kundërshtuar ashpër edhe nga autoritetet ndërkombëtare. Ndihmëssekretari i shteti amerikan, Philip Reeker, e kishte quajtur atë të pajustifikueshme.
Pavarësisht kësaj, Vetëvendosja nuk ka vendosur të zmbrapset. Lideri i saj, Albin Kurti ka deklaruar se protestat do të vazhdojnë derisa Qeveria të fillojë zbatimin e reciprocitetit të votuar më 7 dhjetor të vitit të kaluar në Kuvendin e Kosovës.
E vazhdimin e protestave e ka konfirmuar dje edhe Dardan Molliqaj nga kjo parti.
“Prapë do të jemi në pikat Dheu i Bardhë dhe Merdarë, ku në mënyrë të njëjtë, sikurse më 14 janar, do ta bëjmë bllokimin e rrugëve që vijnë nga Serbia për ta ndaluar Serbinë në Kosovë”, ka thënë Molliqaj.
Sipas Thaçit, kjo metodë e VV’së, me të cilën thonë se pretendojnë të mbrojnë institucionet, vetëm sa po i dëmton ato më tepër. Këto komente Kryeministri i bëri gjersa ka njoftuar që të enjten do të fillojë zyrtarisht dialogu për liberalizimin e vizave.
“Pra, nesër fillon një kapitull i ri historik i evropianizimit të Kosovës. Ky proces është i merituar e jo i dhuruar, në fakt dialogu i liberalizimit të vizave është dashur të nisë edhe më herët sepse Kosova kishte plotësuar të gjitha kriteret në mënyrë të njëanshme”, ka thënë kreu i ekzekutivit në mbledhjen e së mërkurës.
“Kjo ka të bëjë mbi të gjitha me vlerat, vizionin dhe Kosovën të cilën duam ta ndërtojmë, vizionin i cili nuk ndërtohet duke e definuar vetën më të ardhmen tonë me urrejtje për të tjerët, ai vizion nuk definohet duke e definuar vetën kundër të tjerëve...”, shtoi ai.
Presidentja Atifete Jahjaga, ndërkaq, tri ditë pas përfundimit të protestës së 14 janarit i ka ftuar liderët e VV’së që të ulen në bisedime me partitë e tjera.
Por, duket se kjo thirrje e Jahjagës ka hasur në vesh të shurdhër.
Dardan Molliqaj konsideron se bisedimet me presidenten nuk mund ta zhbëjnë mocionin e Kuvendit të Kosovës për reciprocitet me Serbinë.
Ai ndër të tjera tha se nuk kanë marrë asnjë ftesë as thirrje nga Presidenca.
“Sigurisht që për çështjet, për të cilat ka marrë vendim Parlamenti, si organi më i lartë, besoj se ato nuk duhet të diskutohen. Por, megjithatë, do të presim të shohim se për çka dhe kur po na thërret, si dhe cili është qëllimi i ftesës”, ka thënë Molliqaj.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje më 14 janar kishte mbajtur protestën e parë në thirrje të zbatimit të reciprocitetit me Serbinë. Nisma e Kurtit dhe partisë së tij përfundoi me ndërhyrjen e dhunshme të Policisë në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë. Si pasojë e saj, mbi 100 persona u arrestuan, në mesin e të cilëve edhe pesë deputetë të Kuvendit të Kosovës nga kjo lëvizje.