E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjerohet bashkëpunimi Shkup–Tiranë

18/01/2012  Basha në Maqedoni: Autostrada Tiranë–Elbasan sjell më shumë lehtësira për dy vendet

Aktiviteti që shënoi fillimin e manifestimeve në Maqedoni për 100-vjetorin e shtetit shqiptar

Zgjerohet më tej bashkëpunimi ndërmjet strukturave vendore të Shqipërisë e Maqedonisë. I pranishëm si i ftuar nderi në ceremoninë e vendosjes së gurit të themelit në nisjen e punimeve për sheshin “Skënderbej” në Shkup, kryebashkiaku Lulzim Basha ka deklaruar se dy vendet do të intensifikojnë më tej shkëmbimet për zhvillimin e dy kryeqyteteve. Nisma e bashkëpunimit ndërmjet bashkive është përforcuar edhe më tej në takimin e veçantë që Basha ka zhvilluar me kreun e qytetit të Shkupit Koce Trajanovski. Dy kryebashkiakët ranë dakord për të vendosur ura të reja ndërveprimi mes Shkupit e Tiranës, duke zgjeruar marrëdhëniet mes dy administratave. Basha u shpreh se “bashkëpunimi do të lehtësohet nga ndërtimi i autostradës Tiranë–Elbasan, e cila do të shkurtojë distancën mes Shkupit dhe Tiranës”. Ndërsa kryebashkiaku Trajanovski tha se “duhet vënë në efiçencë protokolli i bashkëpunimit i nënshkruar në vitin 2000 nga ish kryebashkiaku Albert Brojka, nismë e cila që prej asaj kohe ka mbetur në heshtje.

Ceremonia për 100-vjetorin e Pavarësisë

Aktiviteti i organizuar në 544-vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar shënon fillimin e manifestimeve në Maqedoni për 100-vjetorin e shtetit shqiptar. Pas vendosjes së gurit të themelit në sheshin qendror të Shkupit, të pranishmit vendosën kurora me lule pranë monumentit të Skënderbeut. Në ceremoninë e organizuar ishte i pranishëm kryetari i komunës së Çairit Izet Mexhiti, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, zëvendëskryeministri Musa Xhaferri, njëkohësisht kryetar i këshillit organizativ për kremtimet e 100-vjetorit, si dhe anëtarë të kabinetit qeveritar e qytetarë të shumtë. Gjatë ceremonisë Basha ka deklaruar se emri i Skënderbeut, statuja e Skënderbeut i bën nder çdo qyteti evropian. Sipas Bashës, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu i ka bashkuar shqiptarët kurdoherë, si një nga gjeneralët më të mëdhenj të Evropës, strateg i luftës mbrojtëse, i cili arriti të mbante gjallë shpresat e shqiptarëve dhe u kthye në një simbol të Rilindjes Kombëtare dhe sot është simbol i bashkimit të shqiptarëve, kudo ku jetojnë. Me nisjen e punimeve për sheshin “Skënderbej” nisën kremtimet për 100 - vjetorin e Pavarësisë. Basha dhe Xhaferri ishin në një mendje për forcimin e rolit të pushtetit vendor në këtë 100-vjetor të Pavarësisë.

Më tej Basha është takuar edhe me kreun e opozitës shqiptare në këtë vend Menduh Thaçi, ku është përforcuar edhe më shumë nisma e ndërveprimit të dy kryeqyteteve.

Basha

“Skënderbeu është simbol i bashkimit, i lirisë, i vëllazërisë, i atdhedashurisë, por po kështu është një simbol i fuqishëm i europianizmit të kombit shqiptar, për të cilin ky prijës u shpall “Atlet i Europës” shumë më herët sesa ajo të konceptohej si një entitet politik, drejt të cilit jemi të orientuar të gjithë ne shqiptarët, pavarësisht se ku jetojmë. Sheshi “Skënderbej”, emri i Skënderbeut, statuja e Skënderbeut i bën nder çdo qyteti evropian, dhe këtë e them me bindje të plotë.

Menduh Thaçi

Shqipëria është jashtëzakonisht e interesuar që i gjithë rajoni të ecë përpara drejt proceseve integruese. Nga ana tjetër, unë ritheksova brengën e Partisë Demokratike Shqiptare për shkak të bllokimit të procesit integrues, mospasjes së asnjë sinjali (të e quaj shpresës), se ky proces do të zhbllokohet, vështirësitë që hasin shqiptarët kohët e fundit si në aspektin e të drejtave kombëtare, ashtu dhe në aspektin e një varfërie që u kanoset dita-ditës.”

Ali Mehemti

“Është një ngjarje e veçantë, një ditë e veçantë, 544-vjetori i vdekjes së prijësit shqiptar, Gjergj Kastriot - Skënderbeu, është 30-vjetori i Flakës së Janarit dhe 30-vjetori i lëvizjes popullore të Kosovës e me këtë rast në këtë ditë të veçantë fillon punimet sheshi “Skënderbej” nën kujdesin e qeverisë së Maqedonisë. Me këtë rast falënderoj edhe kryebashkiakun Basha, që ka nderuar jo vetëm njerëzit prezent këtu, por të gjithë shqiptarët e Maqedonisë në këtë ditë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›