Krimet e Rënda s‘kanë gjyqtarë për Shullazin
TIRANE – Seanca e parë e rigjykimit të dosjes në ngarkim të Emiliano Shullazit dhe Ervin Ferhatit te Krimet e Rënda, dështoi për shkak të mungesave në radhët e gjyqtarëve. Shkaku i mosplotësimit të pesëshes së gjyqtarëve të trupës është fakti se ata ishin “konsumuar” në çështjet e mëparshme në gjykatë ndaj të pandehurve të dosjes. Edhe pse nga ana e gjykatës ishte kërkuar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë delegimi i dy gjyqtarëve të tjerë, deri pak momente para fillimit të seancës së djeshme Gjykata nuk kishte asnjë përgjigje. Ditën e djeshme në sallë u futën vetëm tre gjyqtarë. Të pandehurit Shullazi dhe Ferhati nuk ishin të pranishëm në sallën e gjyqit. Kryesuesja e seancës, gjyqtarja Marsela Balili u shpreh para palëve se ishte e pamundur të zhvillohej seanca, pasi trupa gjyqësore ishte e paplotësuar. Kjo, për shkak se gjyqtarët e tjerë të Krimeve të Rënda ishin konsumuar në shqyrtimin e parë të dosjes në këtë gjykatë dhe gjatë kërkesave të atij procesi. “Gjykata për Krimet e Rënda i ka kërkuar pak ditë më parë Këshillit të Lartë të Drejtësisë të delegojë dy gjyqtarë nga gjykata të tjera. Deri në ditën e sotme në sekretarinë e gjykatës nuk është kthyer përgjigje”, sqaroi për palët kryesuesja e seancës. Në vijim seanca e radhës u caktua javën e ardhshme. Dosja në ngarkim të Emiliano Shullazit dhe Ervin Ferhatit u kthye për rigjykim nga “zero” në Gjykatën për Krimet e Rënda pas një vendimi të togave të zeza të Apelit për Krimet e Rënda, të cilat vunë re parregullsi procedurale në përgjimet telefonike ndaj të pandehurve. Edhe pse Prokuroria bëri rekurs në Gjykatën e Lartë, Kolegji Penal nuk e pranoi atë, duke i “dhënë rrugë” dosjes për rishqyrtim në Shkallën e Parë. Në gjykimin e parë dy të pandehurit u dënuan me nga 13 vjet heqje lirie për akuzën e “trafikut ndërkombëtar të narkotikëve” dhe të “drejtimit të organizatës kriminale”. ar.ba