Basha: PAMECA III ndihmë për heqjen e vizave
TIRANE - Asistenca e misionit PAMECA III u cilësua dje në takimin e Bordit të Palëve, si faktor i rëndësishëm për të arritur te liberalizimi i vizave për shqiptarët. Ky ka qenë vlerësimi i shefit të delegacionit të Komisionit Europian, Helmuth Lohan, i cili vlerësoi ambicien e misionit për të arritur rezultate konkrete nëpërmjet asistencës për zbatimin e planeve të veprimit për strategjitë e të gjitha fushave të shërbimit policor në Shqipëri. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i cili drejtoi takimin e djeshëm në cilësinë e kryetarit të Bordit, shprehu mirënjohje për rezultatet e arritura nga Policia e Shtetit nën asistencën e misionit PAMECA. Basha gjithashtu në emër të Ministrisë së Brendshme vlerësoi metodën efektive, transparente dhe bashkëkohore të misionit, për punën e kryer nga PAMECA III në periudhën 6-mujore të marrë në analizë. “Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do të jenë partnerë seriozë dhe të përkushtuar për të realizuar objektivat konkrete të qeverisë shqiptare”, tha ministri Basha. Bazuar mbi raportin e progresit për periudhën 6-mujore, 1 mars 2009-31 gusht 2009, ministri vlerësoi se ka pasur rezultate konkrete dhe me efektivitet të padiskutueshëm. “Asistenca në formën e këshillimit dhe organizimit të seminareve të ndryshëm në fushën e përmirësimit të punës së Policisë së Shtetit për të mundësuar menaxhimin e përshtatshëm të burimeve të saj njerëzore financiare dhe teknike, ka qenë e dukshme dhe e matshme”, deklaroi ministri i Brendshëm, Basha. Duke u ndalur te progresi i arritur në fushën e menaxhimit të integruar të kufijve, Basha përmendi disa elementë e fusha konkrete ku është ndjerë ndihma e asistencës së PAMECA III, siç ishte hapja e pikës së përbashkët të kalimit kufitar me Malin e Zi në Muriqan dhe këshillimi për manualin e politikave dhe procedurave për Departamentin e Kufirit dhe Migracionit. Takimin e Bordit të Palëve të Interesuara të misionit PAMECA III e përshëndeti edhe shefi i delegacionit të KE-së, Helmut Lohan, i cili vlerësoi ambicien e misionit. “Mirëfunksionimi dhe kryerja e detyrave të përcaktuara për Policinë e Shtetit, janë një faktor i rëndësishëm për të arritur te liberalizmi i vizave për qytetarët shqiptarë”, deklaroi ambasadori Lohan. e.d
Basha prezanton kryepolicin Burgaj
TIRANE - Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha prezantoi dje në një ceremoni të posaçme Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Ai komunikoi për të pranishmit në ceremoni vendimin e qeverisë, që liron nga detyra Ahmet Prençin dhe emëron në këtë detyrë Hysni Burgajn. Pas kësaj u zhvillua ceremoniali i dorëzimit të flamurit dhe simbolit të Policisë së Shtetit nga drejtori i mëparshëm Prençi te drejtori i ri, Burgaj, i cili bëri betimin. Gjatë fjalës përshëndetëse, ministri Basha tha se “Policia e Shtetit ka shënuar rezultate të larta në luftën kundër krimit. Ajo ka përmirësuar në mënyrë të padiskutueshme dhe të vlerësuar nga të gjithë faktorët rolin e saj në zgjedhje dhe ka përmbushur detyrimet që buronin nga anëtarësimi i vendit në NATO”. “Zoti e bekoftë policinë”, mbylli fjalën e tij Ministri Basha.