Aksidentohet babai i Klod Saliut
DURRES/ OERD ULQINI
Dy autovetura “Benz” janë përplasur kokë më kokë me njëra-tjetrën duke provokuar një aksident me përmasa tragjike, një të vdekur dhe shtatë të plagosur, njëri prej të cilëve mjaft rëndë. Jurgen Zani, 19 vjeç, ka ndërruar jetë në çast nga përplasja e fortë. Burime policore saktësojnë se viktima ndodhej në vendin parë të pasagjerit, në të njëjtën makinë ku gjendeshin edhe Abedin Saliu 70 vjeç (i plagosur mjaft rëndë) si dhe nipi i tij 16-vjeçari E.Saliu, i cili sipas mjekëve të Spitalit të Durrësit nuk paraqet rrezik për jetën. I moshuari është babai i Klodian Saliut, pjesë e bandës famëkeqe të Durrësit, i cili u ekzekutua në një atentat mafioz në autostradë 4 vjet më parë. Ndërsa 16-vjeçari, djali i viktimës tjetër të një atentati ndodhur 2 vjet më parë, Arjan Saliut. Policia në bazë të ekspertimit të vendngjarjes ka dalë në konkluzion se në timonin e “Benz”-it me targë TR 4729 M gjendej shtetasi E.Saliu. Ky i fundit së bashku me shokun e tij 19-vjeçar dhe gjyshin po udhëtonin në drejtim të Durrësit, kur mjeti i tyre ka dalë jashtë rruge. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mbrëmjes në aksin rrugor të “unazës së re”, pranë ish-Kënetës. Pasi ka goditur trotuarin që ndan dy korsitë, autovetura “Benz”, ka dalë në kahun e gabuar të rrugës duke u përplasur me një mjet që udhëtonte nga Durrësi në drejtim të Kavajës. Në timonin e makinës tjetër ishte shtetasi Artan Ilmiu edhe ky i plagosur së bashku me katër pasagjerët e tjerë Nafije, Rexhep, Nevila dhe Paolo Veizi. Të gjithë këta së bashku me vogëlushin 2-vjeçar Paolo duket se kanë shpëtuar mrekullisht dhe sipas mjekëve të Durrësit nuk paraqesin rrezik për jetën, ndonëse janë duke u trajtuar intensivisht. Sipas hetuesve shkak i aksidentit është bërë shpejtësia e madhe e mjetit me targë TR 47 29 M, i cili udhëtonte me mbi 100 km/h. Humbja e kontrollit të veturës, solli më pas edhe përplasjen zinxhir në kahun tjetër të unazës së Durrësit. Kanë qenë momente të vështira për bluzat e bardha të urgjencës së Durrësit ato të menaxhimit të situatës, ku shtatë të mbijetuarit e aksidentit në unazë qenë transportuar për ndihmën e parë. Policia e Qarkut të Durrësit deklaroi dje për mediat se “aksidenti u shkaktua vetëm nga shpejtësia e madhe”. Nga hetimet e kryera pas ngjarjes, policia ka konstatuar se gjatë orëve të pasdites, deri në momentin e aksidentit fatal, makina e Saliut ka kaluar disa herë me shpejtësi në zonën e ish-Kënetës. Adoleshentit, policia i kishte bllokuar një makinë fuoristradë pak kohë më parë, ndërsa gjyshi i tij i kishte dhënë në përdorim “Benz”-in me të cilën udhëtonin mbrëmjen e djeshme.