E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkohet prokurori i Durrësit, u gjet me shkelje

 

trazhgim sokolaj

Shkarkohet nga detyra drejtuesi i Prokurorisë së Durrësit, Arjan Ndoja. Lajmi është konfirmuar dje në mbrëmje me anë të një deklarate nga Zyra e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. Sipas burimeve zyrtare, shkarkimi i ish-kryeprokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, ka ardhur për një kontroll të ushtruar në institucionin e drejtuar prej tij, ku janë gjetur shkelje e mangësi në punë. “Me urdhrin e Prokurorit të Përgjithshëm është ushtruar kontroll tematik në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës për kontrollin e veprimtarisë së Prokurorisë për një  periudhë 2-vjeçare”, thuhet në deklaratën e shpërndarë mbrëmë rreth orës 21:20 nga zyra e kryeprokurores Ina Rama. Sipas deklaratës, “në përfundim të kontrollit në Prokurorinë e Durrësit janë konstatuar të meta të theksuara në funksionimin e kësaj Prokurorie”. “Këto shkelje rezulton se kanë ardhur si rrjedhojë direkte e një menaxhimi të dobët nga stafi drejtues i kësaj prokurorie”, thuhet më tej në deklaratë. Prokuroria e Përgjithshme argumenton vendimin për shkarkimin e kryeprokurorit të Durrësit me zbatimin e nenit 27/1, gërma a, të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, mbi bazën e të cilit “Prokurorja e Përgjithshme mbështetur në konkluzionet e aktit të kontrollit vendosi shkarkimin nga detyra të: drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së rrethit Gjyqësor Durrës, Arjan Ndoja dhe zv.drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së rrethit Gjyqësor Durrës, Drini Pali. Ndërkohë në një komunikim të mëparshëm ishte mësuar se prokurori i rrethit të Durrësit kishte dhënë dorëheqjen nga detyra. Arjan Ndoja bashkë me zëvendësit e tij në Prokurorinë e Durrësit, Drini Pali dhe Elena Bakëllbashi, kishin deklaruar dorëheqjen nga detyra në Prokurorinë e Durrësit. Ata kanë pretenduar se gjatë detyrës së tyre janë përballur me një punë voluminoze, por po japin dorëheqjen “në mënyrë unanime për çështje formimi dhe dinjiteti profesional për probleme parimore që bien ndesh me ndërtimin dhe funksionimin e shtetit të së drejtës”. “Kemi kontribuar në rritjen e pavarësisë së prokurorit në vendimmarrje dhe individualizimin e përgjegjësive dhe meritokracisë së prokurorëve, zv. prokurorëve dhe prokurorëve të rretheve, për të bërë të mundur vlerësimin sa më saktë të punës së tyre, ruajtjen e figurës së pastër të prokurorit nga pikëpamja morale dhe profesionale si dhe të përballimit të volumit të punës”, thuhet në deklaratën e dorëheqjes së tre prokurorëve. Arjan Ndoja ishte shkarkuar nga prokuroria për shkelje në detyrë në kohën e ish-kryeprokurorit Sollaku, por më pas u rikthye në vitin 2007 ndërsa dje u  përsërit i njëjti fenomen. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›