Thaçi merr ftesë për samitin e liderëve

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në një takim ambasadoren turke Songul Ozan, e cila i ka dorëzuar ftesën e kryeministrit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan për të marrë pjesë në Samitin botëror të Liderëve të Ndryshimeve, që do të mbahet nga 14 deri në 15 mars në Stamboll.
Zyra për informim e Qeverisë së Kosovës, bëri të ditur se gjatë takimit kryeministri dhe ambasadorja kanë biseduar lidhur me zhvillimet aktuale politike në Republikën e Kosovës dhe për forcimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Turqisë.
Thuhet se ambasadorja Songul Ozan fillimisht i ka përcjellë kryeministrit Thaçi urimet më të përzemërta të kryeministrit turk, Rexhep Taip Erdogan për rizgjedhjen në postin e kryeministrit dhe formimin e institucioneve te reja të Republikës së Kosovës .
Nga ana e tij, kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur falënderimet dhe mirënjohjen e institucioneve të Kosovës për mbështetjen që vendi mik, Turqia i ka dhënë vendit tonë në procesin e çlirimit, atë të pavarësisë dhe tani në procesin e zhvillimit dhe integrimit.
Thaçi ka theksuar është vullnet i plotë i Qeverisë së Republikës së Kosovës që bashkëpunimi i shkëlqyeshëm mes dy vendeve të forcohet në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.
Në takim me ambasadoren e Turqisë në Kosovë, kryeministri ka folur edhe për vizionin dhe përkushtimin e Qeverisë, që siç ka potencuar “është fuqizimi i sundimit të rendit dhe ligjit, qeverisja e mirë dhe transparente, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe mirëqenia sociale për qytetarët tanë”.
“Po ashtu, një nga objektivat e rëndësishme të qeverisë së re është edhe forcimi i bashkëpunimit rajonal, fqinjësia e mirë me të gjitha vendet e rajonit, duke besuar se në këtë mënyrë i kontribuojmë paqes, stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit të plotë të rajonit tonë në strukturat euro-atlantike”është shprehur Thaçi.
Ndërkaq ambasadorja turke Songul Ozan i ka dorëzuar kryeministrit Hashim Thaçi ftesën e kryeministrit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan për të marrë pjesë në Samitin botëror të Liderëve të Ndryshimeve, që do të mbahet nga 14 deri në 15 mars në Stamboll.
Samiti i Liderëve të Ndryshimeve, që mbahet çdo vit në Stamboll, synon të krijojë një platformë të diskutimeve lidhur me ndryshimet globale në fushën e ekonomisë, politikës dhe atë sociale, duke mbledhur në këtë takim akademikë, përfaqësues të biznesit, politikanë dhe liderë nga vende të ndryshme, personalitete të cilët udhëheqin ndryshimet në vendet e tyre dhe më gjerë.