Vetëvendosja merr politikën e jashtme të Kuvendit
Lëvizja "Vetëvendosje" do të udhëheqë dy prej komisioneve të rëndësishme në Kuvendin e Kosovës, Komisioni për punë të jashtme dhe Komisioni për inteligjencë. Kryesia e Kuvendit të premten ka vendosur për numrin e komisioneve dhe ndarjen e tyre sipas grupeve parlamentare dhe gjithçka do të vendoset në seancën e Kuvendit.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi e ka cilësuar si shumë të rëndësishme këtë mbledhje, për faktin se është vendosur për komisionet parlamentare që përbëjnë punën kryesore të legjislativit të vendit.
Krasniqi: Kuvendi t’i ketë 13 komisione
(Video)
“U morëm vesh për komisionet, për numrin e anëtarëve të komisioneve dhe për ndarjen e komisioneve sipas Grupeve Parlamentare. Do të thotë, kjo mbledhje i dërgon seancës që në këtë legjislaturë, Kuvendi t’i ketë 13 komisione dhe numri i anëtarëve në komisione do të jetë 12 për komisionet për komitete që është komision kushtetues, për komisionet e përhershme 11 dhe për komisionet funksionale nga 9 anëtarë”, ka thënë Krasniqi.
Ai nuk ka dhënë detaje tjera për ndarjen e komisioneve, numri i të cilave është zvogëluar nga 16 sa ka qenë më herët në 13 komisione.
Ndërkohë, zyrtarët e administratës së Kuvendit kanë bërë të ditur se në ndarjen e komisioneve, partitë opozitare do të marrin në drejtim komisione të rëndësishme.
Sipas kësaj ndarjeje, PDK si partia më e madhe do të ketë në drejtim katër komisione, LDK-ja tri, Lëvizja Vetëvendosje dy dhe grupet tjera parlamentare, AAK, AKR, SLS dhe 6+ nga një komision.
Komisioni për punë të jashtme dhe ai për inteligjencë do të drejtohen nga Lëvizja Vetëvendosje, përderisa LDK-ja do të ketë nën drejtim Komisionin për legjislacion, Komisionin për mbikëqyrjen e financave publike dhe atë për integrime evropiane.
Ndërkohë dy komisione të rëndësishme sikur që është Komisioni për buxhet dhe financa dhe Komisioni për ekonomi do të mbesin nën drejtimin e partisë më të madhe PDK, përderisa partia opozitare AAK, do ta drejtojë Komisionin parlamentar për punë të brendshme.