E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi Arid Ukën rëndojnë pesë akuza

Nga Express më 04 mars 2011 në ora 12:25

(E plotësuar) Mbi Arid Ukën, autorin e vrasjes së dy ushtarëve amerikanë në aeroportin e Frankfurtit, rëndojnë aktualisht pesë akuza, thanë autoritetet gjermane.

Ai përballet me dy akuza për vrasje dhe tre akuza për tentativë vrasje, ndonëse hetimet vazhdojnë. Me vendim të gjykatës Uka gjendet në paraburgim deri në përfundim të hetimeve.

Autoritetet gjermane pohojnë se ai ishte besimtar mysliman, por është radikalizuar vetëm së fundi.

Forcat amerikane të sigurisë deklaruan se Arid Uka nuk ishte pjesë e ndonjë liste të dyshuarish për lidhje me terrorizmin. Në Uashington janë bërë publike emrat e ushtarëve amerikanë të vrarë. Ata janë 25 vjeçari Nikolas Alden nga Karolina e Jugut dhe Zakaria Kadbek nga Virxhinia.

Zëdhënësi i Pentagonit, koloneli Dejv Lapan tha se ende nuk është e qartë nëse edhe persona të tjerë janë të përfshirë në këtë sulm.

"Një nga pikat kyçe të hetimit është të gjejmë nëse ka pasur dhe të tjerë të përfshirë përveç sulmuesit", theksoi Lapan. (rel)

Rrëfimi i nënës së ushtarit të vrarë

Nëna e njërit nga pilotët e vrarë amerikanë tregon se djali i saj, baba i dy fëmijëve, Nick Alden, i kishte premtuar asaj se do të ishte mirë, para se të qëllohej në Aeroportin e Frankfurtit.

Ushtari 25-vjeçar thuhet se ka vdekur derisa po përpiqej të ndalonte sulmuesin të qëllonte mbi të tjerët në autobus.

Ndërkohë, siç transmeton “Daily Mail”, sulmuesi Arid Uka ka pranuar se kishte në shënjestër ushtarët amerikanë kur hapi zjarr dhe është përshkruar si “mysliman radikal”, ka deklaruar një zyrtar gjerman i sigurisë.

Një gjykatës federal ka ngritur kundër Arid Ukës dy akuza për vrasje dhe tre akuza për tentim vrasje, pas vrasjes së dy ushtarëve dhe plagosjes rëndë të një të treti. Një ushtar tjetër është plagosur lehtë.

Nëna e Nick Aldenit, Cathy Garner, mori lajmin nga ish-bashkëshorti dje. “Nuk i di të gjitha detaje, por duket se ai po përpiqej të shpëtonte të tjerët në autobus”, tha ajo.

Cathy zbuloi se për herë të fundit pa djalin e saj në Ditën e Falënderimeve. “Ai më tha: ‘Nënë, do të jem në një vend mjaft të sigurt, ashtu si isha në Irak. Do të kem veshur të gjitha veshjet mbrojtëse, kur të dalë jashtë. Do të jem i sigurt po aq sa isha në Irak’. Ai madje as nuk shkoi atje”, thotë Cathy.

Nick ishte i martuar dhe kishte vajzën trevjeçare, Lilly, dhe djalin njëvjeçar, William, me gruan e tij Trish. Ata jetonin në Angli.

“Lotët do të rrjedhin kur të vijnë. Kjo është surreale për mua. Por, jam shumë e zemëruar. Jam e zemëruar për shkak të këtij 21-vjeçari, i cili është rritur në një mënyrë aq fanatike. Ai mendon se ka drejtë të marrë jetën e djalit tim, i cili ishte vetëm 25-vjeçar, dhe i cili kishte një familje. Një familje që e donte shumë”, tha Garner për Anderson Independent Mail.

Alden kishte shërbyer në Irak për gjashtë muaj dhe së fundmi ishte stacionuar në aeroportin Lakenheath në lindje të Anglisë, ku po trajnohej për vendosjen e tij në Kandahar (Afganistan).

Kosovari 21-vjeçar, i cili është akuzuar për vrasjen e tij, punonte me kohë të pjesshme për “Deutsche Post” në aeroporti dhe dosjen kriminale e kishte të pastër.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›