E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi në Londër, Hague i kërkon plan për integrimin e Veriut

Hague e Thaçi

Kryeministri Hashim Thaçi ka mbërritur dje në Londër i ftuar nga autoritetet britanike, ku ka takuar sekretarin për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Uilliam Hague. Duke biseduar për marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, Hague është interesuar për situatën në Kosovë, kryesisht Veriun e vendit, i cili është hallka më e dobët e republikës së re europiane. Ndërkombëtarët po nxisin gjithnjë e më shumë futjen e Veriut të Kosovës në bisedimet me Serbinë, për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, por Kosova kërkon vetëm një dialog teknik. Madje edhe për këtë të fundit, Kryeministri Thaçi theksoi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mund të vazhdojë vetëm pasi pala serbe të nisë zbatimin e marrëveshjeve të arritura në raundet e mëparshme, të cilat deri tani janë zbatuar vetëm nga Kosova.
Nga ana e tij, Hague e ka siguruar Kryeministrin Thaçi që Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbështesë shtetin e pavarur dhe demokratik të Kosovës, sidomos në rrugën për tu bërë anëtare e BE-së. Sekretari i Jashtëm britanik vlerësoi progresin e Kosovës dhe kërkoi nga Thaçi të vazhdohen reformat e nevojshme, sidomos në gjetjen e një plani për integrimin e komunitetit serb që jeton në Veri të vendit. Sekretari Hague e mirëpriti progresin e arritur në dialogun Kosovë-Serbi dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të këtij dialogu.

Bllokimi i serbëve
Dy grupe serbësh kanë bllokuar mbrëmë magjistralen e Ibrit drejt pikëkalimit kufitar G1 në Jarinë. Ata janë vendosur në afërsi të fshatit Rudare të komunës së Zveçanit, si dhe në afërsi të pikëkalimit kufitar G1 në Jarinë. Qëllimi i kësaj bllokade është të tregohet se serbët janë duke protestuar kundër ndërhyrjes së Policisë së Kosovës një vit më parë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›