E Diel, 1 Nëntor 2026

Barroso, dy orë me Samaras: Mjaft me fjalë, duam vepra

Barroso dhe Samaras në konferencën për shtyp

Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, ka vizituar dje Athinën duke kërkuar nga Kryeministri Samaras zbatimin e të gjitha reformave të vonuara, duke theksuar se vendi i Greqisë është në eurozonë. Barroso zhvilloi një takim kokë më kokë me Kryeministrin grek Antonis Samaras, i cili zgjati rreth dy orë. Fjala kryesore është: jepni, jepni, jepni. Çështja kryesore është: zbatimi i rezultateve të të dhënit, tha Barroso pas takimit. Për të ruajtur besimin e partnerëve europiane dhe atyre ndërkombëtarë, vonesat duhet të marrin fund. Nuk ka më fjalë, veprat janë më të rëndësishme se fjalët, deklaroi ai duke shtuar se Greqia është pjesë e eurozonës dhe e tillë duhet të mbetet. Ky është synimi ynë. Të gjithë krerët e shteteve të eurozonës kanë deklaruar se Greqia duhet të qëndrojë në grup për sa kohë do të respektojë angazhimet e veta.
Barroso tha se ai pa vullnet dhe dëshirë të re nga koalicioni i ri tripartiak në Greqi për zbatimin e axhendës së reformave të vendit, të cilat janë mandatuar nën kushtet e paketës së dytë të ndihmës. Kreu i KE tha se i kupton shqetësimet e grekëve dhe sakrificat e tyre, por theksoi se janë të nevojshme reformat për forcimin e aftësisë konkurruese të ekonomisë së vendit. Grekët nuk janë vetëm, ekziston shpresa, theksoi kreu i KE-së.
Ndërkohë Kryeministri Samaras tha në konferencën e përbashkët për shtyp se me presidentin e Komisionit Europian ramë dakord të punojmë së bashku. Ai pohoi se qeveria e tij është e përkushtuar për të bërë ndryshimet strukturore, privatizimet dhe për zbatimin e masave të kursimit për të rimëkëmbur ekonominë e shkatërruar të vendit  vendit. Do bëjmë çfarë është e mundur për rimëkëmbjen e ekonomisë, që nga privatizimet, shkrirja e organizmave publikë dhe shkurtimet e shpenzimeve publike në të gjitha nivelet, theksoi Samaras. Kryeministri grek ka kritikuar edhe deklaratat e disa personaliteteve të huaja, që komplikojnë arritjen e qëllimeve, duke kërkuar frenimin e tyre.
Vizita e Barrosos ndodhi ndërkohë që inspektorët ndërkombëtarë të Trojkës se huadhënësve nga FMN, BE, BQE janë në Athinë për të parë progresin e këtyre reformave. Greqia ka qenë nën presion për të shtuar përpjekjet e saj në zbatimin e reformave të premtuara, të cilat përfshijnë masa të ashpra kursimi dhe e kanë përfshirë vendin në greva e protesta të vazhdueshme dhe ndryshime të shpeshta të drejtuesve politikë. Kontrolli i ekspertëve të Trojkës është i pari që pas zgjedhjeve të qershorit, nga të cilat doli koalicioni i fundit qeverisës. Nga rezultati i tyre varet lëvrimi i këstit të radhës për Greqinë, prej 31.5 miliardë eurosh. Sot pritet të zhvillohet një takim mes Samaras dhe përfaqësuesve të Trojkës, për të mësuar mbi përshtypjet e tyre në këtë inspektim të parë. Trojka do të kthehet në Greqi në shtator.

Deklarata e Citigroup
Rreth 90 për qind janë gjasat për dalje të Greqisë nga euro gjatë 12-18 muajve të ardhshëm, sipas vlerësimeve të kreut të analistëve ekonomistë të Citigroup, transmeton Dow Jones Newswires. Në vlerësimet e mëparshme, Citigroup kishte vendosur shanset midis 50% dhe 75%.

Dragi: Më besoni, euro do të mbijetojë
Në një fjalim të mbajtur dje, guvernatori i Bankës Qendrore Europiane tha se BQE do të bëjë gjithçka për të mundësuar mbijetesën e euros. Guvernatori i BQE, Mario Dragi, u shpreh se Banka Qendrore Europiane do të bëjë gjithçka që mundet për të mbajtur në këmbë monedhën europiane, përfshirë edhe veprime konkrete për uljen e kostos së huave për vendet anëtare. Brenda mandatit tim, BQE-ja do të bëjë gjithçka ka në dorë dhe më besoni, jam i sigurt që kjo do të jetë e mjaftueshme. Guvernatori Dragi shtoi se monedha e përbashkët është e pakthyeshme. Fjalimi mbështetës i Dragit funksionoi. Tregjet reaguan menjëherë pozitivisht. Kostoja e huamarrjes për vendet e eurozonës shënoi ulje, madje edhe për vende në krizë të konsiderueshme si Spanja. Fjalimi shërbeu edhe për rritjen me 0,5 për qind të vlerës së euros në bursa.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›