E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhuzepe Garibaldi do te zhvarroset

Trupi i Xhuzepe Garibaldit, lideri ushtarak i shekullit 19, do të zhvarroset pas dyshimeve të hedhura nga trashëgimtarët e tij, të cilët pretendojnë se eshtrat që ndodhen në varrin e tij nuk i përkasin Garibaldit. Zhvarrimi dhe më pas ekzaminimi pritet të ndodhë në fund të muajit shtator. Trashëgimtarët e Garibaldit thonë se varri i tij që ndhodhet në një ishull pranë Sardenjës mund të jetë dhunuar. Garibaldi shihet si një hero kombëtar në Itali dhe si një nga themeluesit e vendit. Autoritetet italiane kanë dhënë lejen për zhvarrosjen pasi ministri italian i Kulturës Lorenzo Ornaghi mbështeti publikisht kërkesën e familjarëve të Garibaldit për të hapur varrin e tij.
“Ndoshta mund të jetë një mënyrë për të marrë vesh se çfarë i ka ndodhur atij dhe më në fund të arrijmë tek e vërteta. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme,” shprehet mbesa e tij Anita Garibaldi.
Nëse ai është te ky varr atëherë mendoj se duhet ruajtur më mirë për të ardhmen. Por nëse nuk është nuk mund të vazhdojmë t’u themi gënjeshtra turistëve duke i treguar, ja ku është varri i Garibaldit. I lindur në vitin 1807, Giuseppe Garibaldi ka udhëhequr shumë fushata ushtarake në mes të shekullit 19 që përfunduan me bashkimin e Italisë, e cila prej shekujsh ndahej në shtete të pavarura dhe shpesh dominohej nga fuqitë e huaja, nën pushtetin e Mbretit viktor Emanuel i dyti. Një figurë shumë e dashur kombëtare, Garibaldi nderohet në të gjithë Italinë me shumë skulptura dhe me rrugë që mbajnë emrin e tij. Para se të vdiste ai shprehu dëshirën që trupi i tij të digjej, por kjo porosi nuk u krye, dhe ai u varros. Nëse testi i ADN-së do të vërtetojë se eshtrat janë të Garibaldit, atëherë do të hapet një debat i ri, për atë që nëse eshtrat e tij duhet të ruhen më mirë, apo nëse ai duhet të digjet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›