Thaçi në Uashington, takon Bajden dhe Ollbrajt, mbështetje për Kosovën

Delegacioni i Kosovës në zyrën e Bajden në Shtëpinë e Bardhë
Gjatë vizitës së tij zyrtare në SHBA, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u takua me personalitete të larta të politikës amerikane, ku dje bisedoi me zv.presidentin Xho Bajdën dhe ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Medlin Ollbrajt. Të dy politikanët me emër u zotuan për përkrahjen e tyre për Kosovën, si dhe inkurajuan arritjen e marrëveshjeve mes Kosovës e Serbinë dhe zbatimin e reformave për integrim. Në takimin miqësor Kryeministri Hashim Thaçi shprehu mirënjohjen për angazhimin e vazhdueshëm që ish-sekretarja Ollbrajt ka luajtur dhe po luan në mbështetje të zhvillimeve demokratike në Republikën e Kosovës. Në takim, Thaçi e njoftoi znj.Ollbrajt mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, me theks të veçantë për reformat që janë ndërmarrë nga qeveria e Republikës së Kosovës në rrugën drejt integrimeve euro-atlantike, thuhet në një njoftim të qeverisë së Kosovës. Zonja Ollbrajt ka rikonfirmuar mbështetjen e saj për Republikën e Kosovës, për integritetin dhe sovranitetin e saj, si dhe për procesin e integrimeve euroatlantike të Kosovës. Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar edhe takimin me nënpresidentin amerikan, Xho Bajden, ndërsa sipas RTK, takimi me Presidentin Barak Obama. Thaçi, i cili nisi të mërkurën një vizitë zyrtare në SHBA, u takua një ditë më parë me sekretaren amerikane të Shtetit, Hilari Klinton, nga e cila mori mbështetjen amerikane për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, si dhe për aspiratat euro-atlantike të Kosovës. Kryediplomatja amerikane kërkoi vazhdimin e bisedimeve me Serbinë. SHBA mbështet dialogun dhe bisedimet që zhvillohen me Republikën e Serbisë, të lehtësuara nga Bashkimi Europian dhe gjithashtu jemi të kënaqur me marrëveshjet e arritura. Shtetet e Bashkuara mbesin plotësisht të përkushtuara ndaj integritetit territorial të Kosovës dhe sovranitetit të Kosovës, theksoi Klinton në takim.