Thaçi ngushëllon presidentin amerikan

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ngushëllon presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, me rastin e humbjes së jetëve të qytetarëve amerikanë, si pasojë e uraganit ‘Sandy’, që ka goditur Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në telegramin e ngushëllimit thuhet:
“Me dhembje të madhe morëm lajmin tragjik për vdekjen e dhjetëra qytetarëve amerikanë, si pasojë e erërave të fuqishme dhe vërshimeve, të shkaktuara nga uragani Sandy. Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të qytetarëve të Kosovës dhe në emrin tim, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta, Ju, Qeverisë së SHBA-ve, popullit amerikan dhe familjarëve të viktimave të uraganit”, thuhet në telegram të kryeministrisë.
Gjithashtu në telegram thuhet se populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës në këto momente të rënda për popullin dhe institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të jenë përkrah jush, duke shprehur ndjenjat më të thella të mbështetjes dhe të solidaritetit.