Thaçi nuk komenton kabllogramet e WikiLeaks
Publikimi i kabllogrameve nga WikiLeaks, të marra nga Departamenti i Shtetit amerikan, kanë përmendur në shumë raste liderët më të lartë të Kosovës, por deri më tash shumë pak prej tyre kanë gjetur kohë për t’i komentuar këto kabllograme.
Përderisa kryeministri Hashim Thaçi, nuk ka dashur që të komentojë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ato i ka quajtur të pavërteta.
Kryeministri i vendit në një konferencë për media të mërkurën pas mbledhjes së Qeverisë, nuk ka dashur që të komentojë publikimin e kabllogrameve.
“Qëndrimi i ynë ka qenë dhe do të jetë, ne nuk i komentojmë këto”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ka reaguar lidhur me publikimin e kabllogrameve nga WikiLeaks, ku shkruhej se Kuçi ka kërkuar largimin e disa individëve nga PDK-ja.
Sipas këtyre kabllogrameve shkruhej se Kuçi t’i ketë thënë në atë kohë zyrtarëve të Ambasadës amerikane se PDK-ja do të duhej t’i zëvendësonte disa deputetë, sepse kanë zënë karriget vetëm për shkak të meritave në luftë, siç janë Nait Hasani, Hydajet Hyseni, Xhevat Bislimi.
Por ndaj kabllogrameve të publikuara ka reaguar sot vetë Kuçi, duke thënë se ka të vërteta se ka kërkuar reforma në PDK, por sipas tij ka edhe trillime pasi s’ka përmendur kurrë emra ashtu siç precizohet në këto dokumente.
“Emrat e përmendur janë miq të mi personal, dhe ata të përmendur nuk kanë qenë pasiv kurrë, përkundrazi kanë qenë hiperaktiv në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa do të thosha edhe këtë, se raporti me luftën është ajo që më ka lidh me PDK-në, dhe unë do të thosha se këto të gjitha që shkruhen janë trillime”, ka deklaruar Kuçi, transmeton Kosovapress.