E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi përgëzon presidentin e zgjedhur, Barack Obama

Prishtinë - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi përgëzon Presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, me rastin e inaugurimit në postin e Presidentit të 44 të SHBA-ve. Në mesazhin e dërguar, zoti Thaçi shprehet si më poshtë:

Shkelqësia Juaj, President Obama,

Inaugurimi Juaj në postin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është ngjarje e madhe dhe historike për vendin Tuaj, për demokracinë amerikane dhe për gjithë botën e lirë dhe demokratike.

Zgjedhja Juaj president i SHBA-ve, shpalosi para botës kualitetet e qëndrueshme të shoqërisë amerikane, në themelet e së cilës qëndrojnë vlerat e larta të shpirtit amerikan: vlerat e lirisë, patriotizmit, drejtësisë, përgjegjësisë, besimit dhe shpresës.

Ceremonia e inaugurimit Tuaj si President i 44 i SHBA-ve ishte ngjarje globale dhe frymëzuese për të gjitha kombet, popujt dhe shoqëritë që synojnë ndërtimin e shoqërive të lira, demokratike dhe të zhvilluara.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë kanë qenë flamurtare të përhapjes dhe mbrojtjes së vlerave të lirisë në përmasa botërore. Idealet e tilla vazhdojnë të personifikohen me emrin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kosova dhe gjithë qytetarët e saj janë krenar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova nuk do ta harrojë asnjëherë kontributin dhe përkrahjen e madhe të Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, Ju shpreh përgëzimet më të sinqerta, me urimin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën udhëheqjen Tuaj, të arrijnë lulëzim më të madh, zhvillim më të hovshëm dhe suksese në ndërtimin e paqes anembanë globit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›