E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi, plan strategjik për Mitrovicën

Qeveria e Kosovës ka prezantuar tri pikat kryesore për të kthyer normalitetin në Mitrovicë. Menaxhimi i situatës, bashkëpunimi me ndërkombëtarët, përfshirë edhe fushën e sigurisë dhe bashkëpunimin me popullatën, paraqiten si tri orientimet kryesore të qeverisë "Thaçi", përmes të cilave synohet kthimi i normalitetit në këtë pjesë të Kosovës.

Zv.kryeministri Hajredin Kuçi tha se një qasje e tillë do të mundësojë normalizimin e gjendjes dhe fillimin e kthimit të banorëve të zhvendosur nga veriu në jug dhe anasjelltas. "E para ka të bëjë me menaxhimin politik të situatës. Menaxhimi është politik edhe me strukturat udhëheqëse në Komunën e Mitrovicës dhe është edhe me të tjerët, e me bashkësinë ndërkombëtare në veçanti, pasi mendojmë se zgjidhja duhet të jetë politike dhe jo zgjidhje përmes instrumenteve të rendit", tha ai.

Sipas numrit dy të qeverisë kosovare, menaxhimi i dytë shkon përmes institucioneve të rendit dhe në veçanti nga Ministria e Rendit, Policia e Kosovës, në koordinim të plotë me KFOR-in dhe organet e EULEX-it, dhe menaxhimi i tretë i qeverisë është me popullatën lokale. Të gjitha veprimet në Mitrovicë, sipas Kuçit, janë të koordinuara edhe me misionin e EULEX-it, vendet e Quint-it dhe praninë ushtarake të KFOR-it.

Këto orientime të qeverisë u përshëndetën nga partia opozitare, Aleanca Kosova e Re. Por, sipas nënkryetarit të kësaj partie, Ibrahim Gashi, këto tri qasje të qeverisë nuk mjaftojnë për të kthyer normalitetin dhe bashkimin e qytetit të ndarë. Gashi tha se ka edhe shumë mekanizma që duhet të vijnë në shprehje, në mënyrë që të pengohet funksionimi i strukturave paralele dhe që siguria në këtë pjesë të Kosovës të kontrollohet nga forcat legale të rendit.

"Do të duhej të rritej numri i forcave policore atje. Mendoj sidomos në Lagjen e Boshnjakëve, e cila fizikisht është shumë afër pjesës jugore që kontrollohet nga policia e Kosovës. Kjo do të mjaftonte që për ata banorë të krijohet një masë shtesë e sigurisë. Policia e Kosovës atje vetëm është paraqitur në momente sa për ta parë dikush dhe pastaj me asnjë veprim konkret nuk ka marrë ndonjë masë për t‘i mbrojtur banorët", theksoi Gashi.

Veprimet e fundit të grupeve të serbëve dhe sulmet ndaj pronave të shqiptarëve në veri, sipas tij, do të duhej të ishin si indikacione të mjaftueshme që qeveria të ndërhynte edhe me masa të shtuara të sigurisë dhe me një prani më të madhe të policisë në veri, për t‘i izoluar strukturat paralele.

Faktori policor shihet vetëm si një nga faktorët e shumtë që duhet ndërmarrë në Mitrovicë, sipas partisë tjetër opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Avni Arifi, nga Kryesia e AAK-së, tha se propozimi i kësaj partie, që në pjesën veriore të hapen disa nënstacione policore, do të duhej të përcillej edhe me shumë hapa që shkojnë drejt normalizimit të gjendjes në Veri.

"Zgjidhja nuk është vetëm te forcat policore, por është pjesë e një projekti të përgjithshëm që duhet të ekzistojë. Natyrisht, nuk mund të sillemi sikur asgjë nuk po ndodh, që atje të sundojë vetëm anarkia, që kontrabanda ta dëmtojë kaq rëndë buxhetin e Kosovës, dhe ne të shprehemi vetëm në mënyrë deklarative se Mitrovica është Kosovë e të tjera", deklaroi Arifi.

Zgjidhja e problemit të Mitrovicës parashikohet edhe me Planin e Ahtisarit, sipas modelit një qytet me dy komuna - ajo në jug, e kontrolluar nga shqiptarët dhe në veri e kontrolluar nga serbët. Por, as ky propozim nuk është përfillur nga përfaqësuesit serbë, kështu që status quo-ja në këtë qytet pret hapat e tjerë që qeveria dhe misioni civil ndërkombëtar eventualisht do t‘i ndërmerrnin atje, në përpjekje të normalizimit të gjendjes, e më pas edhe bashkimit të qytetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›